Nis sot Festivali i 68 i muzikës italiane "Sanremo 2018". Për 5 ditë rresht 20 këngëtarë të njohur italianë do të garojnë për tre çmimet e para, mes tyre dhe kantautori shqiptar Ermal Meta.

Për të tretin vit rradhazi kantautori shqiptar Ermal Meta do të ngjitet në skenën e teatrit Ariston, por kësaj here në një duet me këngëtarin e njohur italian Fabrizio Moro.

Kënga e tyre me titull "Nuk më keni bërë asgjë", përcjell një temë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist.

"Kënga jonë është një rebelim i njerëzimit ndaj frikës së terrorizmit", kanë deklaruar dy këngëtarët në konferencën për shtyp.

"Gjatë verës, kemi marrë mjaft mesazhe nga fansat tanë të cilët ishin të frikësuar të merrnin pjesë në koncertet tona. Kështu lindi ideja e nevoja për të treguar dëshirën e njerëzve për t'u rebeluar ndaj asaj çka po ndodh. Kjo këngë tregon atë çka njerëzit kanë vuajtur nga terrorizmi, sidomos ai mediatik i këtij viti të fundit", thanë ata.

Sipas bookmaker-ave italianë, kjo këngë mund të jetë dhe fituesja e Festivalit "Sanremo 2018".

"Sanremo 2018" do të prezantohet nga një emër i rëndësishëm i muzikës italiane, nga këngëtari Claudio Baglioni i cili është njëkohësisht dhe Drejtori Artistik i Festivalit, i shoqëruar nga prezantuesja Michele Hunziker e nga aktori Pier Francesko Favino.

Festivali i Sanremos do t'i kushtojë sivjet një vëmëndje të veçantë temës së dhunës ndaj grave. Me iniciativën e kryetarit të Bashkisë së Sanremos të gjithë këngëtarët por dhe publiku janë të ftuar të mbajnë një spilë në formë lule për të tërhequr vëmëndjen ndaj një teme kaq delikate siç janë mgacmimet seksuale ndaj grave.

Festivali i Sanremos është një manifesim i madh e popullor për italianët. Në ditët e këtij eventi qyteti i Sanremos është blinduar nga masa të larta sigurie, sidomos në zonën përreth teatrit Ariston. 

360 telekamera do të vëzhgojnë të gjithë territorin e postoblloqe policie do të kontrollojnë me metal detektor çdo person.

Në "Sanremo 2018" në kategorinë big do të garojnë 20 këngëtarë të njohur italianë, ndërsa në kategorinë e këngëtarëve të rinj do të garojnë 8 të tjerë.

Ndër të ftuarit special të "Sanremo 2018" priten të jenë këngëtari britanik Sting, rapper Shaggy, kantautori amerikan James Taylor etj.

/Ora News.tv/