Biznesi shqiptar ka vënë alarmin për pasojat që ka nisur të sjellë në ekonomi kriza politike. Përfaqësuesit më të lartë të investitorëve kanë  kërkuar që të nisë sa më parë dialogu pasi zgjatja e mëtejshme e përplasjes së partive do të japë efekte edhe më të rënda. Efektet e para sipas Kreut të Dhomës së Tregtisë janë vërejtur në uljen e ndjeshme të investimeve dhe rritjen e informalitetit, ndërsa në turizëm ka nisur anulimi i prenotimeve.

"Nisni sa më parë dialogun pasi po dëmtoni rëndë ekonominë shqiptare". Ky ka qenë apeli i bërë njëzëri nga komuniteti i biznesit vendas.

Kreu i dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka shprehet se nuk ka ende një faturë konkrete për dëmet që ka shkaktuar kriza politike, por theksoi se investimet kanë rënë, pasi për shkak të pasigurisë preferohet që paraja të depozitohet në banka.

Nikolin Jaka: Nuk duhet dhënë kurrë ky sinjal që ne duhet të ikim nga Shqipëria. Por, për hir të së vërtetës, klasa politike me krizën e vet të një pas njëshme, e cila i shoqëron prej një periudhë  30-vjeçare dhe pothuajse është e njëjta precedencë, veç se ndërrohen kahet, vazhdon të krijojë një mosbesim të ndjeshëm edhe tek sipërmarrësi edhe tek qytetari. Në këtë situatë që është krijuar dilemat janë të mëdhaja janë për këdo, për qytetarin dhe për investitorin. Por ajo që është më e rëndësishme është se ne nuk presim më interesin e investitorëve të huaj apo dhe të turistëve për të ardhur në Shqipëri. Çfarë do të bënte biznesi në këto kushte? Jam i bindur që edhe biznesi ka një agjendë për të bërë.

Është e rëndësishme që ne të nxjerrim faturat që i shkaktohen ekonomisë, sipërmarrjes dhe qytetarit në raste të tilla kur krizat politika janë të tej zgjatura dhe të pakompromista. Një prej dëmeve është kalimi në depozitë i 1 mld euro i sipërmarrësve shqiptarë. Por edhe kalimi i shumave të mëdhaja të qytetarëve shqiptarë në depozita, që nuk gjenerojnë ekonomi në Shqipëri, por gjenerojnë në vende të tjera.

Ines Muçostepa  si dhe Luan Bregasi i kërkuan politikanëve që ti thërrasin mendjes e të ulen në diskutime.

Ines Muçostepa,  Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë: I bëjmë unanimisht apel klasës politike në Shqipëri për normalizimin e situatës politike dhe ekonomike në vend.  

Luan Bregasi, Bussines Albania: Uluni, thirrini mendjes dhe gjeni zgjedhjet më të mira politike për vendin dhe stabilitetin ekonomik.

Turizmi është një prej sektorëve që e ka ndjerë më shumë efektet.

Enver Mehmeti, Shoqata Shqiptare e Turizmit: Tregu i turizmit në 4 muajt e parë rezulton sipas të dhënave 9.5 % në ulje.

Por më shumë stabilitet kërkojnë edhe investitorët e huaj.

Marinela Jazo, Shoqata e Investitorëve të huaj: Të gjithë ata investitorë, që i kanë hedhur sytë nga Shqipëria bën që ose të s'postohen diku tjetër  ose të shtyhen vendimet e tyre për të ardhur në vendin tonë.

Sipas biznesit kriza të tilla politike janë të përsëritura në 30 vite demokraci duke u kthyer në një pengesë serioze për  ekonominë dhe për investimet.


/Ora News.tv/