Ngërçi me zgjedhjet e Unionit të Dhomave të Tregtisë, Katiaj: Ankimi më shumë dëshpërues, sesa faktik

E enjtja e 30 qershorit  ishte ditë zgjedhjesh për strukturat drejtuese të Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

112 anëtarë të Asamblesë, njëkohësisht përfaqësues të Dhomave të Tregtisë së Qarqeve të Shqipërisë zgjodhën kryetaren e re të Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Elizabeta Katiaj përballë Ines Muçostepës, e cila kërkonte një mandat të dytë në krye të këtij institucioni.

Por siç është kthyer në modë rëndom në vendin tonë që rezultati i zgjedhjeve kontestohet gjithmonë nga humbësi, kjo ndodhi edhe me komunitetin e biznesit. 

Katiaj: Jam votuar, jam shpallur nga komisioni fituese pavarësisht se rezultati është kontestuar nga kandidatja tjetër dhe është në fazën e monitorimit dhe mbikqyrjes së gjithë procesit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave që kanë për detyrë certifikimin e procesit. Pretendimet e ankimit janë të çuditshme pasi gjatë procesit nuk pati asnjë lloj kontestimi, ishte një proces normal. Këtu voton biznesi, që nuk ka interes të blejë apo shesë vota. 

Nuk është as i shitshëm dhe as i tregtueshëm qoftë si votë apo individ. Komisioni ka pasur një ngërç në fillim të këtij procesi, ka munguar një nga anëtarët për shkak të një fatkeqësie familjare. Në këto kushte procesi është zhvilluar me tre anëtarë nga katër që duhet të jenë.Kandidatët për kryetarë nuk kontestuan, asambleja nuk kontestoi, asnjë nga votuesit, komisioni nuk kontestoi, vëzhguesja nga Ministria nuk kontestoi, sekretarja e përgjithshme nuk ka pasur shqetësime për këtë rast. Procesi është zhvilluar normalisht dhe ka qenë i monitoruar gjatë gjithë kohës me media. Në historinë e sistemit të dhomave nuk ka pasur ndonjëherë votim kaq të rregullt dhe transparent.

Muçostepa ankimoi procesin vetëm pasi u njoh me humbjen, ndërkohë që nuk pati asnjë ankesë gjatë gjithë procesit të votimit.

Katiaj: Sekretarja teknike e komisionit, e cila është sekretarja personale e kandidates tjetër ka numëruar personalisht me dorën e vetë votat, në prezencën e kamerave dhe prezencën tonë. Në momentin që rezultoi humbëse ka dalë nga salla dhe ka bërë ankesë.

E ftuar në emisionin "Para dhe Pasuri", fituesja e këtyre zgjedhjeve Elizabeta Katiaj thotë se ankimi nga pala tjetër është më tepër dëshpërues sesa faktik.

Katiaj: E vetmja gjë që kam kërkuar nga këto zgjedhje ka qenë vetëm transparenca, anëtarët e komisionit nuk kanë qenë asnjë të propozuar nga unë, përveç një vëzhguesi. E vlerësoj më tepër një ankimim dëshpërues sesa faktik.

Ajo sqaroi se Ministria e Ekonomisë dhe Financave po shqyrton procesin dhe brenda 30 ditëve duhet të vendosë certifikimin ose jo të rezultatit.

Katiaj: Personalisht nuk kam pasur asnjë lloj komunikimi me Ministrinë e linjës. Nuk kam kërkuar mbështetje të politikës pasi nuk kam dashur të ndikoj te biznesi me një vullnet të caktuar politik. Parimi që dëshiroj të ndjek është pavarësia dhe paanësia politike.

E bindur se procesi nuk ka çeduar në asnjë pikë, Katiaj thotë se do të ndjekë çdo rrugë ligjore për të drejtën e saj.

E vetmja pikë në të cilën sipas saj mund të kapet Ministria është Komisioni i votimit që ka funksionuar me 3 anëtarë nga 4 që duhet të kishte për shkak se njëri nga anëtarët kishte një fatkeqësi familjare.

Mëgjithatë, thotë Katiaj, të gjitha palët u dakordësuan për të vazhduar me këtë përbërje Komisioni dhe nëse Ministria e sheh si problem duhet të mbajë parasysh edhe përgjegjësitë për Komisionin.

Katiaj: Qëndrimin e Ministrisë nuk po e kuptoj. Por është në ditët e veta pasi në bazë të ligjit brenda 30 ditëve Ministria duhet të certifikojë ose jo rezultatin e zgjedhjeve. Jam e vendodsur në këtë proces për arsye se jam votuar, jam fituese dhe do të ndjek çdo rrugë ligjore. Ka faza të tjera, proces  gjyqësor në vijimësi. Pika më e rëndësishme është përbërja e komisionit. Nëse Ministria kthen procesin për këtë çështje atëherë duhet të quaj përgjegjës komisionin, sekretaren e komisionit dhe gjithë grupin e punës që në mirëbesim nga ana ime dhe në  keqbësim nga pala tjetër kanë organizuar këto zgjedhje.

EMISIONET