Duke nisur nga 1 korriku, të gjithë shqiptarët që do të udhëtojnë në 5 vendet e Ballkanit do të shpenzojnë më pak për telefonatat, mesazhet si dhe për internetin. Për reduktimin e tarifave të Roaming është nënshkruar një marrëveshje mes kompanive dhe AKEP.

Të gjithë ata qytetarë shqiptarë që udhëtojnë në një nga 5 vendet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Serbia do të kenë tarifa të bisedës telefonike thuajse të njëjtë si komunikimi brenda vendit. 

Drejtori i Rregullimit të Tregut në AKEP Altin Rrapaj deklaron se me marrëveshjen e arritur me kompanitë, reduktimi i tarifave shkon deri në 99 %, më e njeshme kjo për internetin.

Rrapaj: Nga data e sotme të gjithë qytetarët e Shqipërisë, përshirë edhe të Ballkanit Perëndimor, do të përfitojnë reduktime të ndjeshme të tarifave roaming kur udhëtojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kryejnë komunikime, thirrje, sms apo përdorim interneti brenda këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në to përfshihet dhe Kosova, është bërë një marrëveshje e veçantë nga qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës në datë 26 nëntor dhe zbatimi i marrëveshjes ka filluar me datë 26 qershor me Kosovën.

Por kush përfiton më tepër nga kjo marrëveshje? Flukset më të shumta të thirrjeve janë me Kosovën dhe Maqedoninë.

Rrapaj: Fluksi më i madh i hyrje-daljeve sa i përket Shqipërisë është me Kosovën. Nga Kosova vinë shumë më tepër vizitorë sesa shkojnë nga Shqipëria në Kosovë. Ndërkohë qytetarët e Shqipërisë shkojnë më shumë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Përtej arritjes së marrëveshjes me vendet e Ballkanit Akep ka nisur diskutimet edhe për reduktimin e roaming me vendet e BE. Ulja e tarifimit me Greqinë dhe Italinë është një nga kërkesat e përsëritura të qytetarëve shqiptarë duke qenë se në këto vende është numri më i lartë i emigrantëve shqiptarë.

/Ora News.tv/