Prej orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, autostrada Tiranë-Durrës, konkretisht segmenti Tiranë-Qafë Kashar është mbyllur për qarkullimin e automjeteve.  Mëngjesin e sotëm në autostradën Tiranë-Durrës ka nisur ndërhyrja për të shmangur përmbytjet, ndërsa punimet parashikohet të zgjasin rreth 2 javë. Kjo ndërhyrje cilësohet e domosdoshme edhe pse autostrada parashikohet të zgjerohet.

Trafiku nuk qenë i rënduar në orët e para të mëngjesit të së premtes edhe pse kanë nisur punimet.

Ndërhyrja do të realizohet në segmentin Tiranë -Qafë e Kasharit dhe punimet parashikohet të zgjasin dy javë.

Drejtori i Projekteve të Mirëmbajtjes, Klodian Sava, deklaron se vlera e investimit për këtë ndërhyrje do të jetë 342 mijë euro.

Klodian Sava: Këto janë disa punime rehabilituese në funksion të projektit të mirëmbajtjes së sigurisë rrugore bazuar në rezultat, një projekt i qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Bankën Botërore me një fond prej rreth 342 mijë eurosh.

Për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren, autostrada Tiranë - Durrës në segmentin Mbikalimi Kamëz-Mbikalimi Qafë Kashar- Rinas do të mbyllet plotësisht për trafikun në të dyja drejtimet e lëvizjes.

Trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje.

/Ora News.tv/