Që prej të hënës, grumbulluesit do të ndërpresin mbledhjen e qumështit për tre ditë. Kjo masë është protestë kundër ngërçit të krijuar për TVSH-në e produkteve bujqësore, ndërkohë që ka munguar zgjidhja nga Ministra e Finanacave. Alban Zusi shprehet se ndryshimet në ligj do të shkaktojnë dëmtim të prodhimit vendas duke favorizuar importet.

Ndryshimi i skemës së TVSH-së në janar përsa i përket prodhimeve bujqësore ka futur në ngërç të gjithë tregun.

Për këtë qëllim grumbulluesit i kërkuan qeverisë miratimin e akteve nënligjore por pasi nuk morën një përgjigje kanë vendosur të ndërpresin grumbullimin e qumështit për tre ditë duke nisur që nga e hëna.

Alban Zusi deklaron se pavarësisht takimeve, Ministria e Financave nuk ka dhënë asnjë sqarim në lidhje me ngërçin e krijuar në ligjin për TVSH-në.

Sipas kreut të Industrisë Shqiptare të Ushqimit, ky ndryshim ligjor dëmton prodhimin vendas dhe favorizon importin.

Zusi: Grumbulluesit e të gjithë zinxhirit të vazhdojnë të punojnë. Nëse do të ndërpritet për tre ditë ky zinxhir do ta shihni se çfarë ka për të ndodhur në treg. Do të jetë më tepër një akt demonstrues sesa një akt proteste apo presioni. Besojmë se do të ketë edhe sektorë të tjerë brenda industrisë ushqimore që do ti bashkangjiten këtyre veprimeve.

Zusi deklaron se vendimi për ndalimin e grumbullimit të qumështit për ditën e hënë u bë për tu diferencuar nga protestat politike të opozitës.

Zusi: Çështja është e pastër ekonomike dhe në momentin që do të kalojnë dhe këto tensionet e mundshme politike që priten dy ditët e ardhshme, për të mos krijuar interferencaë qëndrimet tona do ti mbajmë pas datës 18 mars.

Që prej janarit, grumbulluesit dhe tregtarët detyrohen që të blejnë produktet bujqësore me TVSH 6% dhe i shesin ato me 20 % si pasojë e një pasaktësie në ligjin për TVSH-në.

/Ora News.tv/