Kompania më e madhe e ushqimit në botë, “Nestle”, ka hequr nga tregu ushqimet me mish viçi që vinin nga Italia dhe Spanja pasi testet zbuluan gjurmë të ADN-së së kuajve. Kompania me bazë në Zvicër ka ndaluar shpërndarjen e produkteve që përmbajnë gjithashtu mish nga furnizues gjermanë. “Nestle” është grupi i fundit mes prodhuesve të shumtë të ushqimeve që gjen gjurmë të mishit të kalit në produktet që normalisht duhet të përmbajnë mish viçi. Një zëdhënës i kompanisë deklaroi se niveli i ADN-së së kalit ishte rreth 1 për qind. Javën e kaluar firma deklaroi se produktet e saj nuk përmbanin mish kali. “Nestle” tërhoqi nga tregu dy produkte brumi të ngrira, ravioli me mish viçi të markës “Buitoni” dhe tortelini me të njëjtin lloj mishi, në filialet e saj në Itali dhe Spanjë. Lazanjat në stil bolonjez të prodhimit francez do të tërhiqen gjithashtu nga tregu. Një zëdhënës i kompanisë tha për BBC se “Nestle” ka identifikuar një problem edhe me furnizues nga Gjermania, si dhe nga një kompani që proçeson mishin në Belgjikë. “Nuk ka një emergjencë për sigurinë e ushqimeve, por këto evenimente tregojnë se nuk janë arritur standartet që konsumatorët presin nga ne”, thuhet në deklaratë.

/Ora News.tv/