Nënshkruhet roamingu ballkanik, ulja e tarifave nga 1 korriku

Gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë nga ulja e tarifave të shërbimit roaming, duke filluar nga 1 korriku i këtij viti, ndërkohë tarifat do të hiqet tërësisht mes Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëveshja u nënshkrua gjatë Samitit të dytë Digjital, që po zhvillon punimet në Beograd.

Nga 1 korriku i këtij viti qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë nga ulja e çmimeve të shërbimit të romingut.

Marrëveshja e romingut pritet të zbatohet në tërësi në korrikun e vitit 2021, ndërsa këtë vit fillon vetëm ulja e tarifave.

Përveç roamingut midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Kosova do t’i heqin plotësisht tarifat për këtë shërbim, duke filluar po nga 1 korriku i këtij viti.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë Samitit të dytë Digjital, që po zhvillon punimet në Beograd.

Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe Kosova, ndonëse pjesëmarrja e saj dhe e tërë marrëveshja u vu në dyshim për shkak të mosmarrëveshjeve Prishtinë-Beograd.

Kur takoi komisionarin për zgjerimin, Johannes Hahn, në Beograd javën e kaluar, kryeministrja Ana Bërnabiç tha se tarifa doganore e Kosovës e vinte në diskutim edhe marrëveshjen e roamingut.

Marrëveshja është nismë e Bashkimit Europian dhe synon afrimin tregtar të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit në bllok.

Sipas Majlinda Bregut, sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, “kjo marrëveshje do të lidhë bizneset më shpejt dhe më lirë me njeri tjetrin, do të lidhë punëkërkuesit me punëdhënësit e tyre potencialë. Padyshim do të gëzojë turistët.” 

Tarifa e romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e një shteti përdorin në një shtet tjetër.

Këto tarifa, zakonisht janë dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikimin brenda një shteti.


EMISIONET