Sëmundjet kronike të veshkave si kudo në botë po përhapen me ritme të shpejta edhe në vendin tonë. Megjithëse nuk ka ende shifra të sakta, sipas të dhënave referuese, rreth 8-9% e popullsisë vuan nga problemet me veshkat. 

Myftar Barbullushi: “Ne akoma nuk kemi shifra zyrtare. Kemi pasur një referencë të marë nga Italia e Jugut dhe nga Greqia dhe shkojmë diku te 8-9%. Po presim të dhënat e para të check-up për të parë zyrtarisht se sa është përqindja e sëmundjes së veshkave në popullatën tonë” 

Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë në spitalin “Nënë Tereza”, Myftar Barbullushi, thotë se mjekimi më i mirë për sëmundjet e kushtueshme të veshkave është parandalimi. Për këtë arsye, Shoqata e Nefrologjisë ka nisur një proces trajnimi me mjekët e familjes, të cilët do të mund të trajtojnë vetë pacientët që kanë probleme me veshkat.  

Myftar Barbullushi: “Mjeku i familjes nuk është i përgatitur për momentin dhe ne brenda vitit do mbulojmë me proces edukimi të gjithë Shqipërinë në mënyrë që të dhënat e para që ti vijnë atij, ai të dijë ti menaxhojë, ti trajtojë vetë pjesën më të madhe dhe ti çoj nefrologu kur duhet. Një i sëmurë me veshka mund të ketë të gjitha shenjat e një dëmtimi serioz dhe të mos ketë asnjë lloj shqetësimi dhe ka raste që na vijnë nga plazhi, nga muaji gusht, nga pushimet, na vijnë direkt dhe i sëmuri ka nevojë për dializë apo transplant, çka do të thotë se parandalimi ose kapja herët e tyre është një vlerë e jashtëzakonshme”  

Data 8 Mars përkon edhe me Ditën Botërore të Veshkave. Sivjet fokusi i kësaj dite i është kushtuar femrave, veçanërisht për kujdesin që duhet treguar gjatë periudhës së shtatzënisë, një fazë e rëndësishme për formimin e fëmijës dhe parandalimin e problemeve në të ardhmen.  

Myftar Barbullushi: “Është më delikate te femrat sepse një sërë sëmundjesh shumë serioze, siç është lupusi, kapin 9 me 1 femra në raport me meshkujt. Fokusi jonë është raporti i sëmundjes me femrat si nënë. Ai 9 muajsh i bebit në barkun e nënës nuk është periudhë kovaleshence, është periudhë formimi dhe aty projektohet pjesa më e madhe e sëmundjeve. Mosformimi mirë i veshkës në barkun e nënës, mosformimi i mirë i ishujve të pankreasit apo dhe i zemrës bën që këta fëmijë të lindur para kohe të kenë probleme më pas në moshat 40-50-vjeçare me veshkat, me diabetin dhe me zemrën”  

Aktualisht në vendin tonë 1300 pacientë trajtohen rregullisht me hemodializë, ku kostoja vjetore vetëm për një pacientë është 13-14 mijë euro në vit. Ndërsa 300 persona të tjerë i janë nënshtruar transplantit.

/Ora News.tv/