Qytetarë maqedonas kanë dalë sot në protestë për të kundërshtuar negociatat me Greqinë në lidhje me çështjen e emrit.

Me thirrjet “Ne jemi Maqedoni” dhe nën organizimin e lëvizjes “Emri jonë, e drejta jonë”, në sheshin “Maqedonia” në Shkup u protestua kundër ndërrimit të emrit kushtetues dhe identitetit. Protestuesit theksuan se janë të pakënaqur nga politikat që i cenojnë interesat kombëtare të popullit maqedonas, shkruan Alsat-m.

“Erdha që ta ruaj karakterin unitar të Republikës së Maqedonisë”, tha një protestues.

“Duam ta ruajmë emrin tonë maqedonas. Me tradhtarë si këta, Zoti na ndihmoftë”, tha një tjetër qytetar.

Një prej kërkesave ishte edhe ndërprerja e bisedimeve dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme. Në të njëjtën kohë që protestohej në Shkup, protesta të maqedonasve të diasporës u organizuan edhe në vende të ndryshme të botës. Në protestën në Australi, një pjesë e protestuesve dogjën fotografinë e kryeministrit, Zoran Zaev.

/Ora News.tv/