Rojet e pallatit mbretëror në Arabinë Saudite kanë arrestuar të paktën 11 anëtarë të familjes mbretërore, të njohur si princër, pasi refuzuan të tërhiqeshin nga protesta e tyre pranë pallatit  Qasr al-Hukm në Riad. Princat kërkuan anulimin e disa vendimeve të mbretit që heq privilegjet e tyre.

Prokurori publik konfirmoi raportet e mëparshme të medias mbi arrestimet. Të 11 princërit, emrat e të cilëve nuk janë zbuluar, u dërguan në objektin më të madh të sigurisë së lartë të Arabisë Saudite, Al-Hayer, që ndodhet në jug të kryeqytetit, Riad.

Princat saudit po përballen me gjyq për refuzimin e tyre për t'u larguar nga pallati mbretëror Qasr a-Hukm, ku ata protestonin kundër vendimit të mbretit Salman për të shkurtuar disa nga privilegjet e tyre.

Princërit kundërshtuan dekretin mbretëror, sipas të cilit anëtarët e familjes Saud tani duhet të paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe të ujit. Ata kërkuan më tej kompensim financiar për dënimin e vitit të kaluar të një të afërmi.

"Pavarësisht se kërkesat e tyre nuk janë të ligjshme, 11 princat refuzuan të largohen nga zona, duke prishur rendin dhe qetësinë publike. Anëtarët e shërbimeve të sigurisë hynë për të rivendosur rendin dhe princat u arrestuan. Pas arrestimit, ndaj tyre janë ngritur një numër akuzash. Ata janë dërguar në burgun Al-Hayer në jug të kryeqytetit në pritje të gjykimit të tyre ", pohon deklarata, siç citohet nga agjencia zyrtare e shtypit saudite.

Vitin e kaluar, Riadi arrestoi dhjetëra princër dhe biznesmenë të fuqishëm nën akuzat për korrupsion. Atyre ju ofrua liria në këmbim të pagimit të 70% të pasurisë së tyre prej miliarda dollarë. Shumica e kanë kryer aktin e dorëzimit.

Arrestimet erdhën pas krijimit të një komiteti të ri kundër korrupsionit, i kryesuar nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, i cili shihet gjerësisht si mbreti i ardhshëm i Arabisë Saudite.

/Ora News.tv/