“Skënderbeu Bashkëkohës”, është libri më i ri që u promovua të enjten në Lezhë në 551-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar. Vetë autori, Ndue Dedaj, në paradhënie thotë se ka bërë mijëra kilometra nga Nishi e Prishtina, Plava e Gucia, Kastriot (Peshkopi), Kepi i Rodonit (Durrës) për të sjellë gjurmët e gojëdhënat për Skenderbeun. 

"Synimi i këtij libri publicistik është që ata që vijnë të nxiten për t’i njohur nga afër “adresat” e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në hapësirën reale dhe virtuale, historike e etnologjike, gjashtëshekullore", shkruan Ndue Dedaj.

Ndërsa, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta u shpreh gjatë promovimit se “ky libër nuk është libër i bërë në tavolinë, prej zyrës, prej studios, sikurse bëhen shumë libra dhe naj herë rezultojnë edhe plagjiatura. Prandaj ky libër ja vlen, sepse sjell freskinë e vet. Dhe më pëlqen se presori nuk ka bërë “mirditorin” por e ka nxjerrë Skenderbeun prej të gjitha vendeve, e ka lënë të lirë Skenderbeun me lind ku të dojë ai”.

Ndërsa Suela Bala vlerësoi se “qëmtimet e këtij udhëtimi nëpër Shqipërinë e Skenderbeut, vijnë të imëta, freskët, zhdërvjellët, bashkë me dijen e sistemuar mirë, stilin e skalitur të publicistit Dedaj. Fytyra e librit ka linjat dhe dritë-hijet e piktorit Pashk Pervathi, me një Skenderbe të portretizuar posatshëm për këtë botim”.




/Ora News.tv/