Ndryshohet vendimi, ish-infermieri i paralizuar do vazhdojë të qëndrojë në jetë

Ndryshohet vendimi, ish-infermieri i paralizuar do vazhdojë të

Gjykata e Apelit në Paris ka urdhëruar ekipin spitalor që po kuron pacientin Vinsent Lambert prej më shumë se një dekadë që ai të mos i nënshtrohet eutanazisë.

Ish-infermieri 42-vjeçar ka mbetur i paralizuar dhe i pavetëdijshëm nga një aksident me motoçikletë në vitin 2008, ndërsa rasti i tij ka hapur një debat të gjerë publik rreth praktikës së vrasjes së pacientëve të pashërueshëm.

Të hënën doktorët e tij bazuar në një urdhër të gjykatës më të lartë administrative, por edhe të bashkëshortes dhe të afërmve të tjerë, i ndërprenë për disa orë ushqimin dhe hidratimin e zakonshëm.

Dy prindërit e Vinsentit nuk e pritën mirë vendimin, madje mbështetësit e tyre e konsideruan sadizëm qëndrimin e sistemit mjeko-ligjor.

Në krah të tyre doli në orët e mbasdites edhe Gjykata e Apelit, e cila urdhëroi që trajtimi i pacientit të vijojë edhe për gjashtë muaj të tjerë derisa për rastin në fjalë të jetë shprehur edhe komisioni ndërkombëtar i OKB-së për të drejtat e invalidëve.

E ëma 73-vjeçare e pacientit e cilësoi vendimin e ri një fitore të jashtëzakonshme dhe se ndjehej krenare për gjykatat e vendit.

Çështja mori edhe një karakter politik me kalimin e orëve, sa vetë kreu i shtetit Emanuel Makron u shpreh me një mesazh në rrjetet sociale.

Duke iu përgjigjur letrës së hapur të prindërve, ai tha se anulimi i vendimit të gjykatave nuk ishte në kompetencën e tij, dhe se doktorët kishin vepruar sipas ligjit duke u konsultuar me bashkëshorten e pacientit, e cila është edhe përfaqësuesja e tij ligjore.

Ekipi mjekësor kishte tentuar edhe në vitin 2013 që ta ndërpriste ushqimin për Vinsent Lambert, ndërsa raportohet se si rasti i tij ndodhen të paktën 1,500 pacientë të tjerë.

EMISIONET