Forumi Botëror i Urbanistikës e rendit Tiranën përkrah Newcastle dhe Panama City si tre qytetet që kanë pësuar më shumë ndryshime në vitin e fundit. Punimet e Forumit u mbajtën në Kuala Lumpur të Malajzisë, ku Kryetari i Bashkisë së Tiranës ndau me të pranishmit projektet që kanë transformuar Tiranën por edhe vizionin për të ardhmen.

Veliaj: Kur e gjithë kjo energji bëhet bashkë, e qeverisë qendrore, e qeverisë lokale, e të gjithë aktorëve në komunitet, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Ishte një mënyrë për të folur për mënyrën se si në një kohë të shkurtër kemi realizuar projekte të mëdha  si sheshi "Skënderbej", projekti i Pazarit të Ri, Bulevardi i Ri, dhe shumë vepra të infrastrukturës, për mënyrën se si është përfshirë edhe biznesi, se si shumë kompani adoptuan një kopshët a çerdhe, për mënyrën se si fëmijët kanë pasur një rol fantastik avokatie për ditët pa makina, e që më vonë u përkthye në më shumë hapësira pedonale apo gjithë betejat për kënde lodrash që sot janë kthyer në një akupunkturë për qytetin. 

Shtimi i korsive të biçikletave është një ndër prioritetet e Bashkisë Tiranë por puna do të përqendrohet edhe në ndërtimin e shkollave të reja si dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Veliaj: Muajin tjetër në Tiranë të vijë flota me 4 mijë biçikleta të reja, të cilat qytetarët do t'i përdorin në rrjetin minimal kushtuar korsive të biçikletave. Me shkollat e reja që mbarojmë këtë vit, si "Servete Maçi" dhe "Kosova", por edhe me paketën tonë të shkollave të reja, do të kemi zgjidhur përpara zgjedhjeve të vitit 2019 çështjen e arsimit me dy turne në Tiranë.

Tirana është përzgjedhur nga Forumi Botëror i Urbanistikës, si një nga 3 qytetet që, bashkë me Newcastle-in e Australisë dhe Panama City-n e Panamasë, ka pësuar më shumë ndryshime vitin e fundit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë dy ditore në Kuala Lumpur të Malajzisë, si i ftuar në Forumin Botëror të Urbanistikës për të prezantuar arritjet dhe ndryshimet e mëdha që ka pësuar kryeqyteti shqiptar.

/Ora News.tv/