Barrikadë njerëzore në rrugë, ish-nënkontraktorët: By-passi Fier nuk nis pa marrë paratë

Barrikadë njerëzore në rrugë, ish-nënkontraktorët:

600 punëtorë të 55 firmave nënkontratore që kanë punuar për ndërtimin e by-passit të Fierit thonë se do të kthehen në barrikadë njerëzore kundër rinisjes së punimeve aty pa marrë më parë detyrimet e prapambetura që shkojnë në 6.5 mln euro. Paralajmërimi vjen në një kohë kur kompania e përzgjedhur për të përfunduar rrugën po bëhet gati të nisë punën me një fond 37.9 milionë.

"Do të bëhemi barrikadë njerëzore dhe do ta bëjmë të pamundur fillimin e këtyre punimeve".

Ndërsa kompania e përzgjedhur nga qeveria për të përfunduar ndërtimin e by-passit të Fierit po bëhet gati të nisë punën, përfaqësuesit e 600 punëtorëve të 55 firmave nënkontraktore që kanë punuar aty më parë, dolën në protestë me këtë paralajmërim të qartë.

Nuk do të lejohen të punojnë, pa marrë ata më parë detyrimet për punën e bërë.

"Të na paguajnë lekët tona sepse themelet në këtë vend i kemi hedhur ne dhe nuk jemi paguar".

Një premtim e kanë marrë më 1 nëntor nga Ministri i Infrastrukturës, por kërkojnë një marrëveshje ligjore.

"Këtë premtim të mbajtur para përfaqësive të subjekteve tona, të Fierit dhe të Vlorës, ta bëjë publik dhe ta legjitimojë zyrtarisht".

Protestës këtë herë iu bashkuan edhe banorë të zonës ku kalon rruga që thonë se nuk kanë marrë kompensimin për tokën e shpronësuar.

"Mos të na detyrojnë aty në komunë që të bllokojmë edhe rrugën dhe të bëjmë ndonjë sherr".

Rreth 37.9 milionë euro do të investohen për të përfunduar ndërtimin e by-passit të Fierit, ndërsa 35.8 milionë euro është fondi për përfundimin e by passit të Vlorës, sipas kontratës së nënshkruar këtë të premte.


EMISIONET