Ndërron jetë papritur kryeprokurori spanjoll, Jose Manuel Maza

Ndërron jetë papritur kryeprokurori spanjoll, Jose Manuel Maza

Kryeprokurori spanjoll Jose Manuel Maza ndërroi jetë në mënyrë të papritur në Argjentinë, pas shtrimit në spital për shkak të një sëmundjeje të paspecifikuar. Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy konfirmoi lajmin për vdekjen e kryeprokurorit përmes Twitter-it, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjen dhe miqtë e Maza-s. 

Edhe të tjerë liderë politikë të Spanjës kanë shprehur keqardhjen e tyre për ndarjen e papritur nga jeta të kryeprokurorit, të cilin e përshkruan si një avokat dhe punonjës të shkëlqyer.

66-vjeçari Jose Manuel Maza e mbante postin e kryeprokurorit prej më pak se një viti. Ishte Maza ai që së fundmi udhëhoqi hetimin e shtetit spanjoll për 14 anëtarë të parlamentit të shkarkuar rajonal të Katalunjës dhe që vendosi se përpjekja e separatistëve për të shpallur pavarësinë ishte një çështje kriminale.

Me ndarjen e parakohshme nga jeta të Maza-s, qeveria spanjolle do të duhet të zgjedhë kandidatin e preferuar pas seancës së Këshillit të Përgjithshëm të Gjyqësorit. Kandidati do të duhet më pas të aprovohet nga një komision i Kongresit dhe më pas nga Mbreti përpara se të emërohet zyrtarisht në postin e kryeprokurorit të vendit.



EMISIONET