Vëllai i Ramush Haradinaj “ndalohet” në Vjenë

Vëllai i Ramush Haradinaj “ndalohet” në Vjenë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, hodhi poshtë lajmet e dhëna gjatë ditës për një arrestim të tij në Vjenë si pasojë e urdhër arresteve të vjetra të Serbisë. Ai tha se ka pasur vetëm një sqarim disa minutësh me policinë, ndërsa falenderoi autoritetet austriake për korrektesën. Ngjarja është dënuar edhe nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, njëherësh vëllai i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka pasur një kontakt me policinë austriake në aeroportin e Vjenës.

Ngjarja ndodhi në ora 14:30 të së enjtes ndërsa nga mediat në Kosovë dhe në Shqipëri u përcoll si arrestim.

Por pak minuta më vonë, Daut Haradinaj publikoi një foto nga Vjena, duke bërë me dije se ishte i lirë.

Sipas mediave në Prishtinë mësohet se vëllai i kryeministrit Ramush Haradinaj ka qenë në një udhëtim privat në momentin kur nga agjentët e policisë në aeroport i kanë kërkuar disa sqarime.

Besohet se çështja ka të bëjë me urdhër-arrestet që qeveria e Serbisë ia ka përcjellë Interpolit për personazhet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në të njëjtën situatë si ajo me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili u ndalua nga policia në Paris dy vjet më parë.

“Daut Haradinaj nuk ka asnjë telash. Është në rrugën e tij. Sapo fola me të dhe ai është me miq duke pirë kafe”, tha nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj.

Më pas ishte Daut Haradinaj që për mediat e Kosovës tha se lajmi për arrestimin e tij nuk ishte i vërtetë.

"Ishte vetëm një konsultë disa minutëshe me policinë në aeroport. Nuk ka të bëjë as me ndalim dhe as me arrestim”, ka thënë Haradinaj duke falenderuar policinë dhe shtetin austriak për korrektësinë e vazhdueshme, si në këtë rast, ashtu edhe në mbështetjen e vazhdueshme të cilën ia kanë dhënë Kosovës pa rezerva.

Në lidhje me ngjarjen reagoi kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili tha se është tallje për faktorin ndërkombëtar dhe institucionet europiane fakti se Serbia nga njëra anë kërkon dialog me Kosovën dhe nga ana tjetër provokon hapur me taktikën e dështuar të fletë-arresteve.



EMISIONET