Ndahet nga jeta historiani Kristaq Prifti
Historiani dhe akademiku i njohur Kristaq Prifti ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare.
Prifti ishte anëtar i Akademisë së Shkencave, specialist i periudhës së Rilindjes Kombëtare, orientalist dhe kishte veprimtari drejtuese në institucionet akademike-universitare.
I ndjeri ka lindur në Berat në 21 janar 1932. Ai ka mbaruar studimet e larta në Moskë në fushën e historiografisë dhe pas kthimit në atdhe punoi si pedagog në Universitetin e Tiranës.
Ishte një prej profesorëve themelues të këtij universiteti, ku kreu disa detyra, si përgjegjës i katedrës së historisë, zëvendësdekan dhe dekan. Që nga viti 1982 ka qenë kërkues shkencor në Institutin e Historisë dhe në vitet 1991-1993 drejtor i tij. Përveç mësimdhënies në UT, Kristaq Prifti ka mbajtur ligjërata edhe në Universitetin e Prishtinës.
Në dekadat e fundme veprimtaria e Kristaq Priftit u shtri edhe në historinë e Kosovës në shek. XX, sidomos në zhvillimin demografik të saj
Kristaq Prifti ka dhe kontribute të tjera të vlerësuara nga bota e dijes si bashkëpërgatitës dhe bashkëredaktor i disa vëllimeve me dokumente e studime