Ndahet nga jeta historiani dhe kritiku i artit Gëzim Qendro

Ndahet nga jeta historiani dhe kritiku i artit Gëzim Qendro

Gëzim Qendro ndërron jetë në moshën 60-vjeçare pas 1 vit përpjekje kundër sëmundjes së pashërueshme.

Familjarët konfirmojnë se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit.

Me studimet e tij të botuara brenda e jashtë vendit Gëzim Qendro krijoi një vetëdije që mendimi kritik shqiptar në artet pamore të futet në rrjedha moderne.

Si profesor në auditorët e Tiranës dhe Prishtinës ai ka kontribut për krijimin e bazave të edukimit artistik.

Përveç përkthimeve të panumërta mbi historinë dhe teorinë e artit, Qendro është autor i disa monografive për artistin dhe artistët shqiptarë: "Arkeologjia e Mëngjesit", "Heronjtë janë të uritur", "Surrealizmi socialist" (l'Harmattan) dhe "Kinostudio - Shqipëria e vjetër".

Si drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në vitet 1997-2002 ai e orientoi institucionin drejt hapjes me botën. Gjatë kësaj periudhe kuron ekspozitat "Surrealizmi socialist", "Homo Socialisticus" dhe "Post EVA" duke e rivlerësuar nën një dritë të re trashëgiminë e realizmit socialist. Botimi i revistës "PamorART" ishte i vetmi organ profesionist mbi artet vizuale, sot e ndërprerë.

Ai është iniciator i krijimit të bibliotekës së Galerisë Kombëtare i vetmi kënd i pajisur me literaturë bashkëkohore. Tek kjo bibliotekë, nesër në orën 10:00 do të kryhen homazhet si një amanet i të ndjerit. Për t'u pëcjellë më pas në varrezat e Tufinës.

"Trishtim i madh! Vendosi të largohet sot prej nesh, pas një sëmundje të rëndë dhe shume para kohe, një nga më të mirët, më profesionistët e më të mençurit e Artit dhe të Mendjes, kritiku dhe historiani i estetikës dhe artit, drejtori që bëri kthesën në Galerinë Kombëtare të Arteve, Gezim Qendro. shkruan ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në një postim në facebook. 



EMISIONET