Nacionalistët evropianë kërkojnë reformimin e BE

Nacionalistët evropianë kërkojnë reformimin e BE

Zgjedhjet evropiane të 26 majit do i gjejnë partitë kryesore radikale dhe nacionaliste të Evropës në një grupim të vetëm politik. Zëvendëskryeministri dhe kryetari i partisë "Lidhja" në Itali, thotë se BE-ja aktualisht është kthyer në makth për të rinjtë dhe popujt e Evropës. Objektivi i tyre mbetet reformimi, por jo shkatërrimi i Bashkimit dhe i Parlamentit Evropian.

Partitë më të mëdha nacionaliste dhe anti-emigracion të Evropës kanë bashkuar forcat për të garuar në bllok në zgjedhjet evropiane të muajit maj.

Në konferencën ndërkombëtare me titull "Drejt Evropës së Ekuilibruar" që u mbajt të hënën në Milano, ministri i Brendshëm dhe zv.kryeministri italian, njëkohësisht kreu i partisë "Lidhja", ftoi tre homologët e "Alternativës për Gjermaninë", "Partinë Finlandeze" dhe atë të "Popullit Danez" që ta shpëtojnë projektin europian.

Salvini: Në këtë tavolinë sot nuk ka ekstremistë nostalgjikë, pasi nostalgjikët e vetëm ndodhen aktualisht në Bruksel. BE-ja e tanishme është kthyer në makth, dhe ne synojmë ëndrrën evropiane të shumë qytetarëve dhe popujve. Objektivi ynë është të jemi grupimi i parë politik në Evropë, që ta ndryshojmë atë.

Shefi i ultradjathtistëve gjermanë, Jërg Mojten, zbuloi se aleanca e re do të mbajë emrin "Aleanca Europiane për Popujt dhe Kombet", dhe do të përfshijë të paktën 10 parti politike.

Meuthen: Duam që Bashkimi Evropian dhe Parlamenti Evropian të reformohen pa i shkatërruar si institucione. Duam të sjellim ndryshime radikale.

Idenë e koalicionit euroskeptik e kanë përqafuar deri tani nacionalistët francezë të prirë nga Marin Lë Pen, partia austriake për Lirinë dhe ajo e kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Shumica e partive ndajnë bindje të njëjta ideologjike kur bëhet fjalë për zhvendosjen e pushtetit nga Brukseli te qeveritë sovrane apo për uljen e emigracionit.

Por kritikët thonë se këto forca kanë qasje të ndryshme rreth politikave ekonomike dhe atyre sociale, ndaj edhe mund të jetë i vështirë krijimi i një aleance koherente në Parlamentin Europian.

EMISIONET