Hetimi për Rusinë, Mueller mund të detyrojë Trump të dëshmojë në gjykatë

Hetimi për Rusinë, Mueller mund të detyrojë Trump të

Në rast se Donald Trump refuzon të bashkëpunojë me hetimin për Rusinë, atëherë prokurori i posaçëm Robert Mueller mund ta detyrojë presidentin të dëshmojë në gjykatë. Mediat amerikane raportojnë se zoti Mueller ka parashtruar një mundësi të tillë gjatë një takimi me avokatët e Presidentit në muajin mars.

Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka paralajmëruar mundësinë e thërritjes në gjykatë të Donald Trump, si pjesë e hetimit mbi ndikimin e pretenduar rus në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Sipas një shkrimi të The Washington Post, zoti Mueller e ka sugjeruar këtë gjatë bisedave që ai ka zhvilluar me avokatët e presidentit në muajin mars.

Thirrja për të dëshmuar mund të detyrojë kreun amerikan të shtetit të përballet me hetuesit, ndërsa kjo është hera e parë që Mueller ngre një mundësi e tillë.

Gjatë takimit me prokurorin e posaçëm, avokatët e Trump kanë këmbëngulur në faktin se presidenti nuk ka asnjë detyrim që të përballet me pyetjet e hetuesve federalë në lidhje me hetimin për Rusinë.

Sidoqoftë, skuadra e Mueller raportohet të ketë sugjeruar lëshimin e një fletëthirrjeje për në gjykatë në rast se zoti Trump refuzon.

Mediat amerikane madje kanë zbuluar edhe dhjetëra pyetje që Mueller u ka dhënë avokatëve të Presidentit.

Ndër të tjera, skuadra hetuese kërkon të dijë nga Trump arsyet e shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey, majin e vitit të kaluar dhe kontaktet e fushatës së republikanit me zyrtarët rusë.

Por Presidenti e ka quajtur “të turpshëm” faktin që lista e pyetjeve të Mueller është bërë publike në media.

EMISIONET