Seuli zyrtar ka konfirmuar pjesëmarrjen e motrës së liderit koreano-verior Kim Xhong-un në ceremoninë hapëse të Olimpiadës Dimërore. Ajo do të shoqërojë liderin ceremonial të shtetit të izoluar, i cili lajmëroi vizitën e tij drejt Jugut pak ditë më parë. Dy Koretë kanë parë një çtensionim të marrëdhënieve mes tyre që kur Peniani lajmëroi pjesëmarrjen në Lojrat Olimpike Dimërore.

Motra e vogël e Kim Jong-un do të ndjekë ceremoninë hapëse të Lojrave Olimpike Dimërore në Pyeongchang. Ministria koreano-jugore e Bashkimit deklaroi se Kim Yo-jong do të shoqërojë liderin ceremonial Kim Yong-nam, së bashku me të tjerë zyrtarë të lartë të shtetit të izoluar, të cilët kanë konfirmuar vizitën e tyre drejt Jugut.

Motra e liderit Kim konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të Koresë së Veriut, veçanërisht pas promovimit të saj në Byronë Politike vitin e kaluar.

Kështu, Peniani përfaqësohet me një delegacion prej 280 anëtarësh në Olimpiadën Dimërore e cila fillon të premten. Skuadra tashmë ka mbërritur në Korenë e Jugut dhe është konfirmuar se të dy vendet do të marshojnë nën një flamur në ceremoninë hapëse të Lojrave.

Pjesëmarrja e Veriut është konsideruar gjerësisht si një përpjekje për të shkrirë akujt mes palëve, edhe pse ekspertët thonë se gjasat që Peniani të heqë dorë nga ambiciet bërthamore janë të pakëta.

Shtetet e Bashkuara besojnë se Veriu po i përdor Lojrat Olimpike për qëllime propagandistike. Ndaj Uashingtoni do të dërgojë zv/presidentin Mike Pence në ceremoninë hapëse për të kundërshtuar këto përpjekje.

“Po udhëtojmë drejt Olimpikeve për t’u siguruar se Peniani nuk do të përdorë simbolizmin e fuqishëm në kuadër të këtyre Lojrave, për të fshehur të vërtetën e regjimit të tyre,” u shpreh numri dy i Shteteve të Bashkuara.

/Ora News.tv/