Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Kaliforninë Jugore kanë shkaktuar të paktën 15 viktima, si dhe qindra të plagosur. Autoritetet përshkruajnë një situate apokaliptike, ndërkohë që paralajmërojnë për rëndim të bilancit të viktimave. Fatkeqësia e përmbytjeve vihen pas zjarreve masive që shkrumbuan pjesë të mëdha të Kalifornisë gjatë muajit dhjetor.

Ekipet e shpëtimit në jug të Kalifornisë, janë ende duke kërkuar për të mbijetuarit pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që shkaktuan së paku 15 viktima. Ndërkohë pamjet filmike të një rasti shpëtimi janë tejet dramatike, kur ekipet e shpëtimit nxorrën një vajzë e cila kishte ngecur në rrëshqitjen e dheut. Vajza 14-vjeçare ishte e tëra e mbuluar nga balta e zezë, por ishte në gjendje të ecte me ndihmën e dy shpëtimtarëve. Sipas mediave amerikane, një zjarrfikës dëgjoi zërin e vajzës që kërkonte për ndihmë. Deri më tani rrëshqitjet e dheut që u shkaktuan nga përmbytjet e shirave kanë lënë të paktën 15 të vdekur në komunitetin bregdetar.

Rruga kryesore bregdetare është deklaruar e mbyllur deri në 50 km. Policia tha se skena me të cilin ata ishin përballur dukej si një fushë beteje e Luftës së Parë Botërore. Ndërkohë një grup prej 300 personash thuhet se janë bllokuar në lagjen Romero Canyon në lindje të Santa Barbara. 

Autoritetet paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet. Ndërkohë më shumë se 50 persona janë shpëtuar, por shumë vende janë ende të paarritshme nga ekipet e shpëtimit për shkak të kaosit që ka mbërthyer zonën. Të paktën 163 persona janë dërguar në spital, ku katër prej tyre janë në gjendje kritike për jetën. Stuhitë në Kaliforni pritet të sjellin shira të dendur në zona të ndryshme. Ndërkohë, në lartësi më të mëdha, Shërbimi Kombëtar i Motit raporton për reshje dëbore. Kjo situatë vjen në vazhdimësi të fenomeneve shkatërruese natyrore që kanë prekur Shtetet e Bashkuara gjatë 2017, vit i kthyer në më të kushtueshmin sa i përket dëmeve nga katastrofat e lidhura me motin dhe klimën.

/Ora News.tv/