Moska kritikoi sot politikën e "agresive dhe të pamatur" të SHBA ndaj Iranit pas vendimit të Uashingtonit për t'i dhënë fund përjashtimeve që lejonin tetë vende të blejnë naftë iraniane pa u nënshtruar sanksioneve.

Përmes një deklarate për mediat, Ministria e Jashtme ruse thotë se "një veprim i tillë nuk do të rrisë prestigjin ndërkombëtar për amerikanët dhe pjesa tjetër e botës kupton se politika e Uashingtonit po bëhet gjithnjë e më agresive dhe e pamatur".

"Uashingtoni nuk e fsheh padurimin e tij për ti imponuar botës vullnetin e saj", shtoi Ministria e Jashtme ruse, në reagimin 'shqetësues' ndaj sanksioneve të reja amerikane kundër Iranit.

"Në ndjekje të hegjemonisë globale, Shtetet e Bashkuara jo vetëm që kërcënojnë komunitetin ndërkombëtar me masa ndëshkuese ekonomike, por ato sjellin dhe retë e luftës në Lindjen e Mesme", thuhet në deklaratë.

Ministria  e Jashtme ruse "lavdëron përmbajtjen e Iranit ndaj provokimit arrogant amerikan" dhe u bën thirrje të gjitha shteteve që të angazhohen  për zbatimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin të nënshtruar në 2015 në Vjenë.

Bashkimi Evropian, Turqia , Koreja e Jugut, dhe aleatët e tjerë të Uashingtonit, kanë shprehur fuqimisht kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të SHBA.

Të hënën, Shtetet e Bashkuara thanë se po i japin fund shtyrjes së sanksioneve për pesë vende që importojnë naftë iraniane, me shpresën se do ta detyrojnë Teheranin të frenojë agresionin ushtarak në Lindjen e Mesme duke i shkurtuar burimin kryesor të të ardhurave kombëtare.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Donald Trump ka vendosur të përfundojë shtyrjen e sanksioneve më 2 maj për tre aleatë – Japoninë, Korenë e Jugut dhe Turqinë - si dhe Kinën dhe Indinë. Tre vende të tjera - Italia, Greqia dhe Tajvani - kishin pranuar tashmë kërkesat amerikane për t'i dhënë fund blerjeve të naftës iraniane.

Në një koment në Twitter, presidenti Trump tha se Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës "do të bëjnë më shumë për të tejkaluar ndryshimet në rrjedhën e naftës nga sanksionet tona tani të plota mbi naftën iraniane".

/Ora News.tv/