Teksa mijëra fëmijë  u ulën në bankat e shkollës për hërë të parë, familjarët e 5 vjeçares që u përplas për vdekje para shtëpisë në Kurjan të Roskovecit zbritën në protestë për atë që e konsiderojnë drejtësi të munguar. Gjyshërit e Afifela Metohut hodhën akuza e ngritën dyshime se faktet për aksidentin u manipuluan dhe autori është lënë i lirë pasi sipas tyre ka mbrojtje në Prokurori. “Mos u lëndoftë njeri si ne”, ishte urimi i tyre për të gjithë familjet e fëmijëv e që nisën sot rrugën e arsimimit.

Afifela Metohu këtë të hënë duhet të niste rrugën e arsimimit, por një aksident i mori jetën më 30 qershor në derë të shtëpisë në Kurjan të Roskovecit.

Por kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga ngjarja e rëndë, familjarët e të miturës flasin për një vrasje të dytë nga drejtësia.

Me fotografinë e 5 vjeçares, një çantë shkolle dhe lule në duar ata protestuan para Prokurorisë së Fierit.

Gjyshi dhe gjyshja, Azmi dhe Lumturi Metohu, thanë se kanë kërkuar riekspertim të çështjes pasi dyshojnë se faktet janë manipuluar.

Azmi Metohu: Mesa kemi parë dosjen e ekspertizës, janë fshehur fotografitë e vendngjarjes, është fshehur goditja e makinës.Nuk na thirri njeri të shikonim makinën me përfaqësuesit tonë ligjorë, makina ka dalë nga policia dhe ka shkuar në destinacion pa e parë ne.Vrasja është bërë në datën 30, ora 10:30, ndërsa arrestimi i personit është bërë në orën 14:00 pasdite, e lanë të lirë sa ti dilte alkooli.

Lumturi Metohu: Kam qenë tek shkallët e banesës sime dhe ishte me shpejtësi marramendëse makina ngjyrë e bardhë. Bërtita fort.E kam kërkuar ekspertimin që në 23 korrik që kam ardhur këtu. Unë dua drejtësi, vetëm drejtësi.

Personi që akuzohej për aksidentin është lënë i lirë nga Gjykata, ndërsa gjyshi i 5 vjeçares ngre dyshime se ai po mbrohet nga prokuroria.

Azmi Metohu: Pse mbrohet vrasësi i këtij fëmijë, kush fshihet pas gjakut të këtij fëmije, pse me kaq nostalgji e mbron prokuroria e rrethit Fier? Një pyetje kam për atë vrasësin tim: Ku ka darkuar të premten në darkë?Le ta gjejë prokuroria.

Familja Metohu thonë se i kanë dërguar letër kryeministrit Rama, kryeprokurores Arta Marku por nuk kanë marrë përgjigje. Ndaj në një kohë kur sipas tyre flitet vetëm për vettingun e gjyqësorit, thonë se shpresën e vetme e gjetën tek media.

Lumturi Metohu: I bëj thirrje kryeministrit që i kam dërguar letër dhe nuk më ka kthyer përgjigje, zonjës Arta Marku i kam dërguar letër dhe nuk më ka kthyer përgjigje.Kjo është drejtësia, ky është vettingu që do të bëjnë këta shtet? Jo, jo. Vettingu jeni ju, të rroni ju, vetëm mediat janë pasqyra që ua tregon fytyrën e vërtetë këtyre.

Dhe në ditën kur 32 mijë bashkëmoshatarë të Afifela Metohut u ulën sot për herë të parë në bankat e shkollës, gjyshja e saj kishte një urim për ta dhe prindërit.

Lumturi Metohu: Sot është dita e parë e shkollës dhe unë kam ardhur në shenjë proteste. Sot do vinte në kopësht, parashkollor.Mos u lëndoftë asnjë fëmijë në botë! I uroj të gjithë fëmijët e Shqipërisë dhe gjithë fëmijët në botë.Mos u lëndofshin nënat, baballarët, gjyshërit sikur me një gjemb në këmbë.

/Ora News.tv/