Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëhen kolektivisht pjesë e Bashkimit Europian në muajt që vijnë. Kështu shkruan në blogun e saj shefja e politikës së jashtme të BE Federica Mogherini duke iu referuar vizitave dhe takimeve që ka pasur me zyrtarët e vendeve të rajonit gjatë javës që shkoi. Sipas Mogherinit në muajt e ardhshëm vendet e Ballkanit kanë një mundësi unike për t'i dhënë fund ndarjeve të Evropës dhe për të bashkuar kontinentin europian.

Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës gjeografikisht dhe mund të bëhet kolektivisht pjesë e Bashkimit Evropian.

Kështu shkruan shefja e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini në blogun e saj pas një jave të kaluar në Bruksel duke punuar për krizat në Lindjen e Mesme dhe veçanërisht në Siri - dhe në Ballkanin Perëndimor.

Ajo thotë se ky është mesazhi që të mërkurën e kaluar ka dhënë në Prishtinë gjatë vizitës së mbajtur atje së bashku me Presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker dhe Komisionerin Johannes Hahn.

"Është koha për të mbyllur plagët e së kaluarës dhe për të ndërmarrë hapa të rinj për të garantuar stabilitet në rajon dhe në të gjithë Evropën"- thekson më tej Mogherini.

Ajo thotë se delegacioni i zyrtarëve të BE diskutoi këtë mesazh me Presidentin Hashim Thaçi, Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Kryetarin e Kuvendit Popullor Kadri Veseli por  edhe me një grup të rinjsh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile, në një diskutim të hapur dhe të sinqertë.

Sipas Mogherinit axhenda vazhdoi një ditë më pas në Sofje, në Bullgari, me të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor. Ndër të tjera zyrtarja e BE thekson se në muajt e ardhshëm vendet e Ballkanit kanë një dritare unike të mundësisë për t'i dhënë fund ndarjeve të Evropës dhe për të bashkuar kontinentin europian.

/Ora News.tv/