Gjykata liron mjekët e spitalit të Shkodrës, përqafimi në sallën e gjyqit

Gjykata  e Shkodrës i la të lirë mjekët e spitalit rajonal, të arrestuar dy ditë  më parë për akuzën e "shpërdorimit të detyrës". 

Seanca maratonë zgjati 3 orë dhe trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Hasan Selimi vendosi të japa masa më të lehta sigurie, jo  arrest me burg siç kërkoi organi i akuzës, i përfaqësuar nga prokurorja  Blerta Hamza. 

Për mjekun kardiolog Luan Dragusha u dha masa e sigurisë  "Liri pa kushte", për ish drejtorin e spitalit  Përparim Çela liri kundrejt garancisë pasurore prej 500 mijë lekësh dhe mos ushtrim i detyrave të shërbimit administrativ pranë spitalit. 

Detyrim me paraqitje për infermierin Renato Kepi, liri me garanci pasurore  për farmacisten Karmen Kaçulini dhe pezullim i ushtrimit të detyrës administrative pranë spitalit, liri me garanci  pasurore u dha edhe për Amanda Matlijan dhe Juliana Zhurin, ndërsa për Albana Mehmetaj asnjë masë. 

Dy mjekët e tjerë, Dhurata Uruçi dhe Edi Smajlaj vijojnë të jenë në kërkim policor. 

Perqafimi- Vendimi u prit  mes lotësh nga të afërmit dhe kolegët e mjekëve  që qëndruan gjatë të gjithë kohës jashtë dyerve të gjykatës. 

Pasi u njohën me lirimin e mjekëve, ata u lejuan të ngjiten në sallë, ku nuk  mungojnë as përfaqimet dhe lotët, video që Ora News e ka siguruar të  momentit kur familjarët takojnë mjekun Dragusha.

Seanca- Në seancë avokatët mbrojtës e kundërshtuan që në nisje veprimin që kishte kryer  prokuroria dhe policia, duke argumentuar se mjekët janë porositës të  medikamenteve sipas nevojave vjetore të spitalit, ndërsa tenderin e  kryen ministria dhe më pas kalon në filtrin e drejtorisë  së spitalit. 

Gjithashtu ato theksuan faktin se në farmacinë dhe depon e  spitalit janë gjetur këto pajisje, duke shpjeguar më pas në detaje me gjuhë mjekësore edhe veprimin që ndiqet në rastin e një operacioni  mjekësor të koronarografisë. 

Prokuroria i arrestoi  mjekët me akuzën e shpërdorimit të detyrës pas një hetimi dy mujor,  duke theksuar se në fund të vitit 2016, porositën 400 pako barnash për  repartin e hemodinamikës, ndërsa bënë vetëm 3 operacione. 

Arrestimi dy ditë më parë 

Një  pacient që qëndroi jashtë gjykate për të pritur këtë vendim, i tha  mediave se prej 3 ditësh kërkon ndihmë mjekësore në spital pasi vuan nga  zemra, por nuk ka patur specialistë.

Brenda 10 ditësh prokuroria mund të apelojë vendimin e shkallës së parë.



EMISIONET