43 vjet më parë, Tereza Gega, sot 61 vjeçe u bë e para nuse mirditore në Zadrimë të Lezhës.

Dy zonat që nuk para bënin krushqi me njëra-tjetrën ju dorëzuan forcës së dashurisë.

Tereza Gega: Kur u martova të gjithë thoshin është duke ardhur një mirditore këtu në Zadrimë, isha e para mirditore që shkoja.

Me kalimin e viteve, nusja mirditore u shndërrua në një zadrimore të mirëfilltë.

Mësoi tezgjahun dhe motivet karakteristike të krahinës me famë për pasurinë etnografike.

Tereza Gega: I thoshin vjehrrës mësoje dhe ti se është zakoni që çdo grua që martohet e merr dhe një tezgjah me vete. Ne mirditoret nuk e kishim.

Edhe pse ishte ekonomiste me profesion dhe për 8 vjet kishte punuar në Kalivaç përpara viteve '90, demokracia e gjeti pa punë.

Tehzgjahu i vjetër dhe porositë e vjehrrës u kthyen në shpëtim për familjen.

Tereza Gega: Në një shtëpi të vogël fillova punën me tezgjah.

Prej asaj kohe, Tereza ende thur veshje të veçanta që e kanë bërë të njohur përtej kufijve të Shqipërisë. Punimet e saj shërbyen si ornamente të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë.

Tereza Gega: Janë pëlqyer shumë por na kanë dhënë dhe një forcë. Për veshjet më kanë dhënë dhe një dhuratë, bekimin e Papës.

Tereza ka vendosur ti ndajë sekretet e endjes së fijeve shumëngjyrëshe me mbesën 8 vjeçare që dëshiron të bëhet stiliste.

Tereza Gega: E ka me shumë pasion, por thotë unë dua të eci më shumë, jo vetëm me tezgjah.

Mirditorja e Zadrimës e ruan me fanatizëm këtë arkë të vjetër që vjehrrat ua japin nuseve si traditë e zonës.

Tereza Gega: Do ta ruaj deri në fund, do t'ua lë trashëgimi. Është një arkë që nuk e prek kush, as nuk e shes.

Në ditën botërore të gruas, Tereza do të ulet në tezgjahun e saj dhe ashtu si çdo ditë tjetër do t’i jap formë dhe ngjyra punimeve të saj.

Po ashtu edhe pëlhurat e endura i japin jetë gruas që mësoi t’i dashurojë nga nevoja për të mbijetuar.

/Ora News.tv/