Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka shpërndarë certifikata pronësie në zonën e Peqinit, pas një inspektimi të zhvilluar zyrën vendore të regjistrimit të pasurive. Sipas deklaratës së Ministrisë së Drejtësisë, qytetarët kanë shprehur ankesa për zvarritjen prej vitesh në marrjen e dokumenteve të pronësisë.

Teksa ka siguruar qytetarët se koha e zvarritjeve burokratike për qëllime korruptive ka përfunduar, Gjonaj ka ftuar ata që të denoncojnë në të gjitha kanalet e komunikimit të qeverisë çdo rast abuzimi që do të vërejnë nga ana e nëpunësve të ZVRPP.

Në takimin me punonjësit e kësaj zyre, Gjonaj është njohur nga afër me problematikat e punës dhe ka dhënë orientime të qarta për të ulur kohëzgjatjen e trajtimit të dosjeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët. Ajo ka theksuar se duhet rikuperuar koha e humbur dhe duhet bërë më shumë në trajtimin e dosjeve që kanë mbetur të bllokuara për kohë të caktuara.

Me pas ministrja ka përfituar nga rasti për t’u dhënë certifikatat disa qytetarëve, të cilët kishin aplikuar prej kohësh, por praktkat e tyre kishin mbetur pa përgjigje. Ministrja u shpreh e vendosur për të mos toleruar më asnjë shkelje të afateve ligjore nga çdo punonjës i ZVRPP, jo vetëm në Peqin, por në të gjithë vendin.

/Ora News.tv/