Tenderi 2,5 mld lekë, ministrja Balluku liron nga detyra kreun e Albpetrol

Tenderi 2,5 mld lekë, ministrja Balluku liron nga detyra kreun e Albpetrol

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka liruar nga detyra drejtorin e Albpetrolit Kastriot Bejtaj.

Mësohet se në vend të tij është emëruar Dritan Spahiu. Më parë, Spahiu ka mbajtur detyrën e drejtorit te politikave hidrokarbure.

Burimet kanë bërë të ditur se ndryshimi është në vazhdën e zhvendosjes së emrave nga postet drejtuese që janë në varësi të Ministrisë së Energjetikës. Madje, lirimi i fundit nga detyra është konsideruar dhe i papritur bëhet në momentet kur pritet të zhvillohet një tender për shitjen e 75 mijë ton naftë bruto me një vlerë prej 2.5 mld lekë.

Ndërkaq Kastriot Bejtaj është gjeofizikant i njohur, ish-drejtues i SHELL dhe Petromanas dhe ka një eksperiencë të madhe në këtë fushë. AlbPetrol sapo ka miratuar planin strategjik të prodhim-shfrytëzimit, strukturën dhe planin e masave dhe për 2018 rezulton kompania shtetërore me fitimin më të lartë.

Albpetrol sh.a. është shoqëria shtetërore e naftës në Shqipëri e themeluar më 6 Prill të vitit 1999, e cila trashëgoi të gjitha asetet dhe vendburimet e naftës në Shqipëri. Selia qendrore e kompanisë ndodhet në qytetin e Patosit ndërsa shoqëria ushtron aktivitetin e saj edhe në Zyrën e Përfaqësimit në Tiranë si dhe në qendrat e prodhimit në Fier, Ballsh, Kuçovë, Patos.

EMISIONET