Mungesa e transparencës nga ministrja Belinda Balluku po vijon të thellohet. Pas mungesës së konsultimeve me grupet e interesit në lidhje me vendimet e marra, tashmë nuk bëhen publike as aktivitetet e institucioneve që ajo drejton për të gjitha mediat. 

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku po thellon skandalin dhe mungesën e transparencës ndaj publikut. Tashmë hakmarrja e saj shtrihet te mediat të cilat publikojnë edhe lajme të papëlqyera për të. Duke mos i ftuar në aktivitet që organizon, ministria zgjedh të njoftojë vetëm mediat që e mbështesin duke shkelur në këtë mënyrë parimin e të drejtës së informimit.

Në këtë mënyrë me urdhër të ministres RTV ORA nuk ka marrë njoftim në lidhje me një konferencë për Air Albania. I njëjti veprim është bërë dhe për medie të tjera.

Institucionet e shtetit shqiptar mbahen me taksat e qytetarëve dhe kjo i detyron ato që të jenë transparente në lidhje me çdo vendim apo çështje që lidhet me interesin e qytetarëve shqiptarë. Kjo mungesë transparence vjen në një moment që ministrja ka ndërmarrë një sërë nismash të cilat janë kundërshtuar fuqishëm nga grupet e interesit.

Kjo pasi nuk është bërë asnjë konsultim në lidhje me vendimet arbitrare. Përmendim këtu nismën për pezullimin e të gjitha HECE-ve pa asnjë paralajmërim paraprak në një kohë që të gjithë investitorët i kishin marrë këto leje sipas të gjitha ligjeve shqiptare.

Po ashtu një vendim aspak transparent ishte edhe anulimi i vendimit të paraardhësit të saj duke rikthyer në qarkullim automjetet më të vjetra se 10 vite.

/Ora News.tv/