Pronat e minoritarëve, Ministria e Jashtme i përgjigjet Greqisë

Pronat e minoritarëve, Ministria e Jashtme i përgjigjet Greqisë

Ministria e Jashtme e Shqipërisë shpreh habinë për deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke, e cila thotë se qeveria shqiptare po i jep në mënyrë arbitrate pronat private të minoritarëve grekë për projekte turistike.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë thotë se, e drejta e pronës është e drejtë kushtetuese që gëzohet pa dallim dhe në mënyrë të barabartë nga të gjithë shtetasit, në mënyrë individuale, pavarësisht përkatësisë kombëtare.

Tirana zyrtare thotë se Ministria e Jashtme greke shtrembëron faktet, pasi VKM-ja në fjalë ka si objekt evidentimin e zonave me interes për zhvillimin e turizmit, të cilat gëzojnë statusin e “pronësisë shtetërore”.

Deklarata thekson se Shqipëria është e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Jashtme: 

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh habinë e saj për deklaratën e MPJ greke të datës 11.12.2018.

Si një vend evropian,  anëtar i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, Shqipëria njeh juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut dhe zbaton vendimet e saj.

 E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese që gëzohet pa dallim dhe në mënyrë të barabartë nga të gjithë shtetasit, në mënyrë individuale, pavarësisht përkatësisë kombëtare. Për më tepër, të gjithë shtetasit gëzojnë të drejtën e ankimimit efektiv në instancat gjyqësore në rast pretendimesh për shkelje të këtyre të drejtave.

 MEPJ shpreh keqardhjen për deklaratën e MPJ-së greke e cila mbështetet në shtrembërim të fakteve. Dëshirojmë të sqarojmë se VKM-ja në fjalë ka si objekt evidentimin e zonave me interes për zhvillimin e turizmit të cilat gëzojnë statusin me  “Pronësisë Shtetërore”.

MEPJ rithekson se shteti shqiptar ka qenë dhe do të jetë gjithnjë i angazhuar në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave.  Ky angazhim dëshmohet nga anëtarësimi ynë në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, garancitë kushtetuese në këtë fushë, si dhe miratimi i legjislacionit specifik për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë.

Duke i bërë thirrje palës greke për lexim objektiv të fakteve dhe realitetit, dëshirojmë të kujtojmë se kuadri  i pasur ligjor, në pajtim  me praktikën evropiane, sikundër tradita e shkëlqyer e bashkëjetesës  shoqërore në Shqipëri përbëjnë një shembull pozitiv për t'u ndjekur në rajon".

Deklarata e Ministrisë së jashtme greke

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme greke denoncoi dje (11 dhjetor) një vendim arbitrar sipas saj, të qeverisë shqiptare për shpronësimin e tokës private që u përket minoritarëve të pakicës greke.

"Një vendim i tillë është në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me vendimet e gjykatës shqiptare si dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e pronësisë së pakicës kombëtare greke në Shqipëri", thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme greke.

"Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të anulojë këtë vendim dhe të rishqyrtojë ligjin, duke siguruar që prona të jepet menjëherë për të gjithë pronarët e ligjshëm pa përjashtim", thuhet më tej, duke theksuar se Ministria e Jashtme greke do të vazhdojë të ndjekë çështjen.


EMISIONET