Duke reaguar mbi deklaratat e Partisë Demokratike, Ministria e Brendshme thekson se në radhët e saj nuk ka më punonjës policie të paprekshëm apo të mbrojtur nga "çadra" partiake. 

Në reagim thuhet se ka vullnet të qartë për pastrimin e radhëve nga çdo efektiv që shkel ligjin. 

Më tej thuhet se vettingu në polici do të reformojë kapacitetet njerëzore, duke promovuar pjesën më të shëndetshme, punonjësit më me integritet, të trajnuar, të mirë arsimuar, të cilët janë shumica në organizatë.

Reagimi i plotë: 

Ministria e Brendshme, përmes Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe Policisë së Shtetit reaguan menjëherë mbrëmë pas publikimit të pamjeve në emisionin investigativ “Fiks Fare”, duke pezulluar dhe shpallur në kërkim oficerin e dyshuar si të implikuar në këtë vepër penale.

Hetimet e plota nisën menjëherë nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë.

Ky është treguesi më i qartë se aktualisht në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm, apo të mbrojtur në “çadrën” partiake, ashtu siç tregon vullnetin e qartë për pastrimin e radhëve nga çdo efektiv që shkel ligjin.

Ministria e Brendshme siguron qytetarët se, askush dhe për asnjë motiv, nuk do mund të ndryshojë vullnetin, për të luftuar krimin dhe goditur korrupsionin. Përpjekjet tona për konsolidimin e shtetit të së drejtës nuk do ndalen. Vetting-u në Policinë e Shtetit, i mbështetur fuqimisht nga partnerët ndërkombëtarë, është një mekanizëm ligjor që do ta përshpejtojë procesin. Vetting-u do të reformojë kapacitetet njerëzore në Policinë e Shtetit, duke promovuar pjesën më të shëndetshme, punonjësit më me integritet, të trajnuar, të mirë arsimuar, të cilët janë shumica në organizatë.

Duke përfituar nga rasti, i bëjmë thirrje PD-së të heqë dorë nga dhuna verbale ndaj Policisë së Shtetit, e të punojmë bashkë për ta bërë vendin dhe jetën e qytetarëve më të sigurt.

/Ora News.tv/