Duke folur gjatë nisjes së një anijeje për eksplorimin e naftës dhe gazit në Mesdhe të enjten, ministri turk i Energjisë Berat Albayrak vlerësoi besueshmërinë e elektoratit turk.

Albayrak, i cili është gjithashtu dhëndër i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, fillimisht shpjegoi sukseset e qeverisë së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në aspektin e projekteve të ndërtimit.

"Disa njerëz flasin, të tjerë bëjnë. Si AKP në Turqi, ne kemi qenë gjithmonë në anën e atyre që bëjnë", tha Albayrak.

"Një herë, kur flisnim me votuesit tanë, njëri prej tyre tha se 'betohem, ne i besojmë AKP-së aq shumë sa, zoti Ministër, nëse presidenti del dhe thotë: "Do të ndërtoj një rrugë me katër korsi në hënë, betohem se ne do të besonim atë", tha ministri turk.

Ministri shtoi se kjo është ajo që AKP ka arritur me punën dhe veprimet e saj.

Kolumnisti Levent Özeren ishte mes atyre në mediat sociale që iu përgjigjën deklaratës.

"Në qershor të vitit 2015, (deputeti i AKP), Burhan Kuzu tha 'Le të themi se kemi vjedhur, votuesit e AKP nuk do ta besojnë atë'. Në qershor të vitit 2018, dhëndri Berat tha: "Nëse Erdogan thotë se do të ndërtojë një rrugë me katër korsi në hënë, votuesit e AKP do ta besojnë atë", tha Özeren.

"Kjo do të thotë se për tre vjet, asgjë nuk ka ndryshuar për votuesit e AKP-së! Ata trajtohen si budallenj dhe nuk përgjigjen!"

Në Turqi po zhvillohet aktualisht fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 24 qershorit.

/Ora News.tv/