Ministri i Drejtësisë në Belgjikë: Shqipëria të njohë dënimin e Safet Bajrit

Ministri i Drejtësisë në Belgjikë: Shqipëria të

Hetuesit belgë e ndoqën deri në Shqipëri Safet Bajrin ku morën pjesë aktivisht në hetimet dhe aksionin për arrestimin e tij në Tiranë. Por vendosja në pranga e të shumëkërkuarit dhe anëtarëve të grupit kriminal ku ai bënte pjesë, ka vënë në lëvizje ministrin e drejtësisë Koen Geens, në Bruksel.

Ai citohet nga mediat të ketë thënë se do të kërkojë që Safet Bajri ta vuajë në Shqipëri dënimin me 22 vjet burg të dhënë nga drejtësia belge në mungesë të tij.

34-vjecari nga Shkodra është larguar nga Belgjika në qershor 2017 ndërsa u dënua me 22 vjet heqje lirie për tri akuza, përfshirë edhe atë të përleshjeve fizike me grupet rivale në kontrollin e zonave të shfrytëzimit të prostitucionit në bruksel.

Mediat belge shkruajnë më tej se sektori i emigracionit e dëboi aksidentalisht Safet Bajrin në vitin 2017 por e shpalli më pas në kërkim pas dënimit të dhënë ndaj tij. menjëherë pas këtij vendimi hetuesit belgë u vunë në ndjekje të shqiptarit. Efektivat e policisë së Belgjikës dhe zyrtarë të prokurorisë kanë ardhur dy herë në Shqipëri gjatë hetimeve paraprake por edhe javët e fundit, teksa po organizohej aksioni për arrestimin e anëtarëve të grupit. Në Shqipëri ranë në pranga nëntë persona përfshirë edhe Safet Bajrin ndërsa në Roterdam të Holandës u arrestuan edhe dy bashkëpunëtorë të grupit.

Kërkesa e palës belge për njohjen e dënimit ndaj Safet Bajrit në Shqipëri, sipas ministrit të Drejtësisë do të paraqitet zyrtarisht me shkrim pranë autoriteteve shqiptare pasi dy vendet nuk kanë marrëveshje ekstradimi. Megjithatë Shqipëria dhe Belgjika kanë nënshkruar një protokoll për të ekzekutuar dënimet e dhëna në dy vendet përmes konvertimit të vendimeve të gjykatave sipas ligjeve të shtetit ku kryhet dënimi. Megjithatë media belge thotë se kjo marrëveshje jo gjithnjë ka funksionuar pasi sipas tyre, në vitin 1995, shtetasi shqiptar Mark Frroku u dënua me dhjetë vjet burg në Belgjikë për përfshirje në një vrasje. Frroku u arrestua në Shqipëri, por mori një proces të ri dhe u lirua më në fund në vitin 2017.


EMISIONET