Ecuria negative që po kalon skuadra e Kukësit ka hedhur hipotezat për një shkarkim të mundshëm të trajnerit Mlladen Milinkoviç, çka përforcohet më shumë nga një shkrim i "Panorama Sport" ku theksohej se marrëdhënia midis trajnerit serb dhe menaxherit të klubit Naim Halili nuk është shumë e qetë.

Por trajneri serb i ka mohuar të gjitha hamendësimet duke theksuar se me presidentin Gjiçi dhe me menaxherin Halili nuk ka asnjë konflikt dhe se ata besojnë tek ai.

“Me z.Halili nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë konflikt. Ato që shkruajnë gazetat për dialogun e zhvilluar në mbledhje janë tërësisht të pavërteta. Unë kam dashur ta hedh vetë gazetën në gjyq për këto shpifje, por me qenë se këtë veprim e ndërmori klubi, u tërhoqa. Ka qenë zoti Halili, ai që më ka prezantuar te presidenti Safet Gjici. Dhe këtë e ka bërë se ka besuar te mua. Kemi pasur dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë, pavarësisht debateve konstruktive për ndeshje e lojtarë të veçantë. Këtë çështje e deklaroj të mbyllur. E rëndësishme për mua është të kthehemi te fitorja dhe për këtë po i kushtojmë rëndësi kësaj ndeshjeje. Besoj se ekipi do të reagojë mirë dhe do të marrë fitoren, jo vetëm në këtë ndeshje po dhe në vazhdimësi”.- ka deklaruar tekniku serb Milinkoviç

/Ora News.tv/