Micotakis: Mosrespektimi i të drejtave të komunitetit grek në Shqipëri do të kishte pasoja

Micotakis: Mosrespektimi i të drejtave të komunitetit grek në

Kandidati favorit për kryeministër i Greqisë, Kirjakos Micotakis, vlerëson se aspiratat e Shqipërisë për t'ju bashkuar familjes europiane nuk kanë për t'u realizuar pa u garantuar të drejtat e minoritetit grek në vend.

Kryetari i partisë opozitare "Demokracia e Re" tha të enjten se nëse ai zgjidhet kryeministër, kjo çështje mund të kushtëzojë edhe raportet e tij me qeverinë shqiptare.

Micotakis:"Mosrespektimi i të drejtave të komunitetit grek në Shqipëri do të kishte pasoja dhe do të dëmtonte marrëdhëniet dypalëshe. Nëse Edi Rama kërkon t'i ruajë raportet e mira me Greqinë, duhet të respektojë të drejtat e minoritetit tonë."

Deklarata e kryeopozitarit Micotakis vijon një politikë konstante të Greqisë, të shprehur ditët e fundit edhe nga vetë qeveritari në largim, Aleksis Cipras.

Gjatë prezantimit elektoral me rastin e zgjedhjeve të parakohshme të 7 korrikut, kreu i qeverisë paralajmëroi madje se tema e minoritetit grek në Shqipëri për herë të parë është përfshirë edhe në programin e tyre elektoral.

Sipas Cipras, respektimi i të drejtës së pakicave etnike për t'u përfaqësuar dhe për të pasur prona në Shqipëri janë parakusht për hapjen e negociatave dhe më tej hyrjen e vendit në Bashkimin Europian.

Ndërsa duhet më pak se një muaj nga data e zgjedhjeve parlamentare, sondazhet në Greqi tregojnë se partia e kryeministrit Cipras qëndron 9 pikë poshtë opozitarëve konservatorë, të cilët kanë shanset më të mëdha për të formuar një koalicion qeverisës.

EMISIONET