Tre vite pas miratimit në parlament me konsensus të reformës në drejtësi, presidenti Ilir Meta përmes një postimi në facebook shprehet se ndihet krenar që nuk lejoi kapjen e sistemit përmes ndryshimeve në kushtetutë.  Madje ai thekson se ky votim i arritur pas shumë negociatash dhe përplasjes politike, i ka hapur rrugën rekomandimit për hapjen e negociatave të integrimit. Duke sjellë në vëmendje krizën aktuale dhe afrimin e datës kur BE do të diskutoje për çeljen ose jo të bisedimeve me shqipërinë, kreu i shtetit thekson se vendimi pozitiv do të vijë vetëm nëse realizohen zgjedhjet e lira.

"Lidhur me çështjen se kur do të çelen negociatat, kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur të gjithë qytetarët shqiptarë të ushtrojnë sovranitetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira, të ndershme, demokratike, gjithpërfshirëse dhe të gjithëpranuara, për çdo nivel përfaqësimi politik dhe institucional. Fillimi i negociatave do të jetë i mundur kur zbatimi i Reformës në Drejtësi të shkojë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, mbrojtjes së interesit publik, dhe garantimit të të drejtave demokratike dhe lirive themelore të qytetarëve të Shqipërisë."

Presidenti shfuqizoi dekretin për zhvillimin e votimeve në 30 qershor duke vendosur datën 13 tetor si mundësia më e mirë, por mazhoranca e cilësoi nul këtë veprim duke vijuar me votimet për zgjedhjet vendore me 30 qershor. Tashmë në tryezën e politikës qëndron propozim për zhvillimin e 3 palë zgjedhjeve në një ditë, vendore, parlamentare dhe për presidentin. 

Po në facebook Meta falenderoi Komisionin e Venecias për rekomandimet si dhe Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjen e Zbatimit të Ligjit në Departamentin Amerikan të Shtetit të asaj kohe, z.William Broënfield,

Në 3 vjetorin e miratimit të reformës në drejtësi, Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar një video në YouTube për të kujtuar këtë ditë.  Ambasada fton që përmes videos të mësohet se si reforma në drejtësi do të sigurojë që çdokush të jetë i barabartë përpara ligjit.

/Ora News.tv/