Edhe pse mazhoranca bëri ndryshime në ligj dhe hapi garë për ndërtimin e Teatrit të ri, oresidenti Ilir Meta ka refuzuar sërish të hedhë firmën, duke e kthyer për shqyrtim në Kuvend.  Meta thotë se ndryshimet në thelb nuk sjellin asgjë, duke argumentuar se ligji nuk garanton barazi në garë. Në emër të mazhorancës Taulant Balla, tha se dekreti i Presidentit do shqyrtohet me qetësi dhe dashuri.

Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit të Teatrit Kombëtar.

Behet fjale për ligjin nr. 37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Në arsyetimin e publikuar sot nga Presidenca mësohet se kuvendi nuk ka shqyrtuar 8 (tetë) nga 9 arsyet e dhëna nga Presidenti i Republikës në dekretin nr. 10 849, dt 27.07.2018, duke shmagur kështu zgjidhjen e çështjes dhe duke krijuar sërish një normë të re ligjore antikushtetuese.  Po kështu dhe një arsye që u nis ta trajtonte sërish nuk ka arrritur të zgjidhë çështjen e trajtimit preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat. 

"Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018, të miratuar nga Kuvendi më datë 20.09.2018, Presidenti i Republikës, ka arritur në konkluzionin se, ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 (nëntë) çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi . 

Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm 1 (një) prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje, thuhet në njoftimin e presidences.

Gjithashtu presidenti vë në dukje me shqetësim dhe faktin që Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale për tu shprehur përfundimisht mbi këtë çështje.

Ligji ka kritere diskriminuese

"Ligji i ri nr. 37, dt 20.09.2018, paraqet sërish probleme kushtetuese, pasi edhe pse në pamje të parë ai duket sikur ka zgjidhur problematikën e konstatuar, në thelb dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë.

Këto konstatime e bëjnë këtë ligj të bjerë sërish ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar funksionimin e vet shtetit të së drejtës.
Në këtë mënyrë në tërësi ligji i ri nr.37, datë 20.09.2018, paraqet të njëjtat probleme kushtetuese të evidentuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij, duke e bërë atë të padekretueshëm për shpallje."

Argumentet

1. Së pariveprimtaria parlamentare e zhvilluar për miratimin e ligjit të ri nr.37, datë 20.09.2018, ka shmangur sërish zbatimin e parimeve kushtetuese. Kuvendi nuk ka shqyrtuar 8 (tetë) nga 9 arsyet e dhëna nga Presidenti i Republikës në dekretin nr. 10 849, dt 27.07.2018, duke shmagur kështu zgjidhjen e çështjes dhe duke krijuar sërish një normë të re ligjore antikushtetuese.

-Veprimtaria e Kuvendit, është e pambështetur në ndonjë vlerësim tekniko-ligjor, për çështjet e ngritura nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij.

- Kuvendi ka votuar sërish një projekt të ri ligjor, të pajustifikuar dhe që në realitet nuk ofron asnjë zgjidhje për problematikat kushtetuese të konstatuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij.

-Vendimmarrja e Kuvendit, ka shmangur shqyrtimin e 8 (tetë) prej çështjeve të ngritura në dekretin e Presidentit, me qëllim miratimin e një norme të re ligjore, e cila në thelb paraqet të njëjtat problematika kushtetuese si ligji i mëparshëm.

2. Së dyti, edhe ligji i ri nr.37/2018, datë 20.09.2018, sërish nuk garanton zbatimin e parimeve të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.

-Edhe pse kjo është e vetmja çështje e shqyrtuar nga Kuvendi, sërish parashikimet e reja ligjore nuk e kanë zgjidhur situatën antikushtetuese të konstatuar nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij të mëparshëm.

-Kuvendi në ligjin e miratuar në 5 korrik 2018 kishte përcaktuar një trajtim preferencial të kompaninë private “Fusha” sh.p.k, ku kërkesa për shprehje interesi, e paraqitur nga kjo kompani, ishte vlerësuar “a priori” si propozimi më i mirë, duke bërë kështu dhe pranimin automatik të faktit të kryer, pa asnjë procedurë konkurrimi të hapur dhe transparente.

-Pikërisht shkelja e parimeve kushtetuese të barazisë përpara ligjit dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve, ishte një nga arsyet, por jo e vetmja, që Presidenti i Republikës, me dekretin nr.10 849, datë 27.07.2018, vendosi ta kthente ligjin për rishqyrtim në Kuvend. 

Është fakt që, Kuvendi i Shqipërisë, me propozimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe më pas të qeverisë, u investua me procedurë të përshpejtuar në shqyrtimin e propozimit dhe miratimin e ligjit nr. 37, datë 05.07.2018, duke përzgjedhur me ligj bashkëpunimin me shoqërinë propozuese “Fusha” sh.p.k, si një nga pronarët e pasurive prone private në këtë zonë.

Gjithashtu është fakt i bërë publik, që në zonën e përcaktuar për realizimin e këtij projekti ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, shoqëria propozuese “Fusha” sh.p.k. ka në pronësi pasuri të paluajtshme truall dhe ndërtesa.

Në këtë situatë faktike, ku shoqëria “Fusha”, shpk, rezulton pronare në zonën objekt zhvillimi, vendosja e këtij kushti nëpërmjet ligjit dhe mosparashikimi në ligj i rolit të shtetit si garant për një proces të hapur dhe transparent konkurimi, sjell si rezultat të vetëm realizimin e një procesi selektiv konkurimi në kushte aspak të barabarta.

Në këtë mënyrë edhe kjo normë e re ligjore me kriteret e vendosura dhe me paqartësinë e saj, nuk e ka zgjidhur problemin kushtetues që ekzistonte në lidhje me këtë çështje, pasi sërish nëpërmjet kritereve të tilla vlerësuese të vendosura në ligj, kufizohet pjesëmarrja në konkurim, duke bërë të mundur kështu që në praktikë të ekzistojë trajtimi preferencial dhe i favorizuar i një ose disa subjekteve të caktuar, gjë e cila sjell si rezultat paracaktimin e fituesit në këtë proces.

Për rrjedhojë, arrihet në bindjen se edhe kjo procedurë e re ligjore krijon pabarazi dhe cenim të veprimtarisë së lirë ekonomike dhe barazisë përpara ligjit.

Në këtë mënyrë edhe kjo normë e re ligjore nuk mund të dekretohet me shpallje nga Presidenti i Republikës.

Shqetesuese situata e krijuar

Referuar gjithë sa u parashtrua më sipër, duke vlerësuar me shqetësim situatën e krijuar dhe në kushtet kur;

– Kuvendi ka miratuar një ligj të ri nr. 37, datë 20.09.2018, i cili në thelb paraqet të njëjtat problematika kushtetuese dhe nuk ka reflektuar dhe korrigjuar problematikat e konstatuar në ligjin e  mëparshëm;

– Dekreti i Presidenti nr.10849, datë 27.07.2018, është miratuar nga Kuvendi dhe nuk e ka humbur kështu fuqinë e tij;

– Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, nuk është funksionale për tu shprehur përfundimisht mbi këtë çështje;

– Si dhe në respekt të parimeve kushtetuese që garantojnë identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore, me vullnetin që interesi publik të mos cenohet nga tjetërsimi jo objektiv i pasurisë publike, si dhe për të garantuar që rendi juridik i normave të legjislacionit shqiptar është i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë;

Presidenti i Republikës, në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në nenin 84 dhe 85 pika 1 të saj, ka vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit të ri nr.37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt `Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar`”, pasi të gjitha argumentet që shoqëronin dekretin e Presidentit nr. 10849, datë 27.07.2018, nuk janë shqyrtuar objektivisht nga Kuvendi, dhe konstatimet në lidhje me pozitën antikushtetuese të këtij ligji ngelen sërish të njëjta, si në ligjin e mëparshëm.

Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 85 pika 1, 86 pika 1, 92/a, 93, të Kushtetutës, i përcjellë Kuvendit rekomandimin që kjo çështje duhet të marrë kohën dhe vëmendjen e duhur, në mënyrë që ligji nr.37/2018, datë 20.09.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar ‘”, të rishqyrtohet, bazuar në argumentat mësipërme dhe atyre të dhëna në dekretin nr. 10849, datë 27.07.2018, që paraqiten, si më poshtë :

1. Ligji shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta;
2. Ligji nr.37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare, mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre;
3. Ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim;
4. Ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht, edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
5. Ligji nr.37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë;
6. Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018, nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik;
7. Ligji nr. 37/2018, nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
8. Miratimi i ligjit nr. 37/2018, nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë;
9. Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.


Reagimet 

Gjatë kohës kur presidenti publikoi argumentat  kundër ligjit të ndërtimit tetarit të ri, parlamenti ishte në seancë plenare.  Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, refuzoi të komentoi vendimin e Kreut të Shtetit. Por ishte kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla,  i cili përdori një shprehje të presidentit Meta, për të theksuar se dekreti do ti nënshtrohet procedurës parlamentare.

"Ne jemi seriozë në marrëdhënnie me institucionin e Presidentit të Republikës dhe do ta shqyrtojmë me po aq seriozitet qetësi dhe dashuri propozimin që vjen nga Presidenti"


/Ora News.tv/