Meta ka vetëm një “fakt” kundër Lleshit… e propozoi Edi Rama!

Meta ka vetëm një “fakt” kundër Lleshit… e

Dikur thuhej jo pa qesëndi se presidenti Bamir Topi “flet me heshtje”. Merrej për bazë fakti që kreu i shtetit asokohe e përmendte shpesh këtë frazë për veten e tij, në mesin e sherreve të pafundme me kryeministrin Berisha, kur nuk donte të prononcohej për çeshtje të nxehta të momentit. Të njëjtën gjë, në kushte të tjera, po bën sot edhe presidenti Ilir Meta me rastin Lleshi. Pasi e la të konsumohej afati kushtetues i reflektimit rreth hedhjes së firmës në dekretin e aprovimit të tij si ministër i brendshëm, Meta ka bërë diçka për të cilën aktualisht i vjen zor edhe të lerë gjurmë. Siç është thënë shumë herë me të drejtë në ditët e fundit, mjafton të dëgjosh tekstin që presidenti i ka drejtuar kryeministrit, apo të shohësh faqen online të Presidencës, për të kuptuar se heshtja dhe përvjedhja e kreut të shtetit për rastin në fjalë, zbulon de facto shkeljen e Kushtetutës nga ana e tij. Meta nuk flet sepse e di që nuk ka asnjë hapësirë për të justifikuar mosdekretimin e ministrit të brendshëm.

Presidenti Meta mund të ketë dëgjuar ose analizuar shumë aspekte të karrierës e personalitetit të Sandër Lleshit, mund të ketë dëgjuar shumë fjalë të mira ose të këqia për të. Madje edhe nga ato teoritë e komplotit me “shërbime sekrete armike”, paçka certifikatës së sigurisë ekzemplare që Lleshi ka nga NATO! Mund të ketë përtypur në mendje më shumë se një skemë për t’i dhënë drejtim këtij lëmshi ku e ka parë veten të përfshirë në ditët e fundit. Por sot është e logjikshme të thuhet se Sandër Lleshi është shumë më pak “misterioz” dhe “interesant” se shumë emra të tjerë në meidanin e politikës shqiptare. Është një person për të cilin, dhjetë ditë pas propozimit të Ramës si ministër të brendshëm, opozita s’ka mundur të artikulojë as edhe një akuzë të vetme publike. Dhe e dimë mirë sesa “pjellore” janë në epitete dhe sulme folklorike, në raste të tilla, opozitat shqiptare!

Shikoni çfarë ndodhi në orët që pasuan mosdekretimin e Sandër Lleshit! U propozua Vitore Tusha për kryetare të KLSH, u dekretua data e zgjedhjeve lokale dhe u dekretua pas një viti kreu i SHISH Helidon Bendo. U hodh gjithë ai mish në skarë, vetëm për të kompensuar sadopak refuzimin antikushtetues të Sandër Lleshit për ministër të brendshëm.

Ilir Meta s’ka asnjë fakt për Sandër Lleshin, përpos faktit që ai është gjeneral brigade dhe si i tillë s’mund të jetë edhe ministër. Kjo rrethanë burokratike krejt banale dhe jointeresante për gjahtarët e teorive të komplotit në rrugët e Tiranës, e cila fare mirë mund të ishte bërë temë e një diskutimi të hapur e korrekt mes presidentit dhe qeverisë, është fshehur në fund të dheut, për t’i hapur udhë supozimeve me spiunë, komplote dhe “fakte të ububushme”. Është ndërtuar artificialisht rreth emrit të Sandër Lleshit një teori komploti me shumë të panjohura për të fryrë motivin e mos hedhjes së firmës. E presidenti Meta ka monopolin e këtij procesi përgojimi publik të një personi, për të cilin askush s’ka thënë asnjëherë asgjë.

Ah po, se gati harruam! Ka dhe një shkak tjetër, që në fakt është më reali, më i besueshmi dhe më i logjikshmi i shkaqeve, për rrëzimin e Sandër Lleshit: e ka propozuar Edi Rama! Ky është kryefakti që sot mbahet fshehur, duke u paketuar me letrat shumëngjyrëshe të teorive të komplotit. Zv.ministri i brendshëm është penguar të bëhet ministër sepse mesa duket presidentit i duhet një konflikt politik publik me kryeministrin, një gjest force me “sekretarin e parë” Edi Rama. Është epiteti i fundit, ai që zbulon më së miri indirekt, se përse Sandër Lleshi është sot zv.ministër dhe jo ministër!

EMISIONET