Fundjava,  presidentin Ilir Meta e ka gjetur në veri të vendit ku hapi Festivalin e Parë Mbarëkombëtar të "Kcimit të Tropojës" në Bajram Curr, kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të kombit tonë.

"Atmosferë e jashtëzakonshme festive në Tropojën e dashur dhe fisnike" shkruan Meta teksa nuk ka nguruar që t'ia marrë valles me valltarët e Ansamblit Dardania.

Meta u zotua se do të vazhdojë përpjekjet për regjistrimin e Kcimit të Tropojës në UNESCO.

“Kemi të regjistruar në UNESCO disa nga trashëgimitë tona siç janë Butrinti, Berati, Gjirokastra dhe Isopolifonia. Duhet të punojmë fort për të regjistruar në listat e UNESCO-s pasuri të tjera tonat si Kcimin e Tropojës. Vlerat tona kombëtare duhet të promovohen edhe më tej dhe Kcimi i Tropojës e meriton të bëhet pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.

Mbështetja ime si President do të vazhdojë të jetë e pakufishme dhe do të vazhdojmë impenjimin dhe përpjekjet tona në bashkëpunim me ju dhe të gjithë institucionet për ta patur Kcimin e Tropojës prioritet të rëndësishëm për regjistrimin sa më shpejt në UNESCO" tha Meta.

Në Festivalin e Parë Mbarëkombëtar të “Kcimit të Tropojës” marrin pjesë ansamble nga shumë treva shqiptare si Tropoja, Librazhdi, Plava, Gucia, Hasi, Peshkopia e Burreli.

/Ora News.tv/