Meta i uron 75-vjetorin e lindjes ish-presidentit që u shpreh i gatshëm t'i lironte zyrën

Presidenti, Ilir Meta, i ka uruar 75-vjetorin e lindjes Prof. Rexhep Meidanit, ish-President i Republikës në vitet 1997-2002.

Në mesazhin e tij të urimit, Meta thekson kontributet e tij si President që vendi të kishte një Kushtetutë demokratike si ajo që votua në Referendum në vitin '98, që ndihmoi në demokratizimin e vendit për një dekadë, si dhe angazhimin e tij të veçantë si President gjatë krizës së Kosovës dhe më pas për afirmimin e saj.

Kreu i Shtetit nënvizon se Prof. Meidani për të ka qenë gjithmonë një shembull i respektimit të institucioneve dhe parimeve demokratike, i mbrojtjes së interesit kombëtar dhe publik.

Vlerësimin ndaj zotit Meidani Meta e pati bërë publik edhe me 1 gusht të këtij viti, ku në një konferencë për krizën politike deklaroi se është i gatshëm të lirojë zyrën e tij nëse aty vjen një person me integritet si Rexhep Meidani.

"Në rast se kërkon kryeministri të lërë edhe detyrën e Presidentit, gjithmonë duke konkuruar me 13 tetor para qytetarëve, por vetëm me një kusht, që në këtë zyrë të vijë një njeri me shumë integritet i cili ka qenë në këtë zyrë dhe ka provuar se mbrojtja e interesit kombëtar dhe publik është mbi çdo gjë tjetër dhe nuk e ha shantazhin dhe presionin siç është profesor Rexhep Meidani.

Kjo është terësisht e zgjidhshme, nuk e kam biseduar me njeri, por jam i sigurt se ato dy-tre çështje të rëndësishme të rëndësisë kombëtare që trajtohen nga kjo zyrë do ti mbronte ndoshta dhe më mirë se unë. Të mos bëjmë sikur nuk e shohim thellimin e krizës. Marrja e këtyre bashkive në këtë mënyrë nuk është as e ligjshme dhe as legjitime. Presidenti të votohet më 13 tetor dhe të gjithë ata që e kontestojnë presidentin të bëjnë fushatë kundër tij. I ftoj të reflektojnë për ndryshe do më detyrojnë të ftoj të gjitha media botërore të shkojmë tek varri i Ramiz Alisë me një tufë me lule" pati deklaruar Meta.

Urimi i Metës në facebook për ditëlindjen e Meidanit

Të dashur miq!

Ishte kënaqësi t'i uroja sot 75-vjetorin e lindjes Prof. Rexhep Meidanit, ish-President i Republikës në vitet 1997-2002, një personalitet i jashtëzakonshëm, jo vetëm i shkencës, por edhe i jetës publike në vend, i cili ka ofruar gjithmonë kontribute pozitive me shumë përgjegjshmëri dhe modesti.

Në veçanti do theksoja sot kontributet e tij si President që vendi të kishte një Kushtetutë demokratike si ajo që votua në Referendum në vitin 98, që ndihmoi në demokratizimin e vendit për një dekadë, si dhe angazhimin e tij të veçantë si President gjatë krizës së Kosovës dhe më pas për afirmimin e saj.

Prof. Meidani për mua ka qenë gjithmonë një shembull i respektimit të institucioneve dhe parimeve demokratike, i mbrojtjes së interesit kombëtar dhe publik.

Ndaj edhe njëherë po ndaj edhe me ju urimet e mia më të mira për Prof. Meidanin dhe familjen e tij në këtë ditë të gëzueshme.


EMISIONET