Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi mohon të ketë pasur një takim sekret sot mes kreut të shtetit dhe kryeministrit Edi Rama në Gjirin e Lalzit.

Në një prononcim për RTV Ora, zoti Blushi e quajti: Thashethem plazhi" lajmin i cili u përhap nga disa portale.

Mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama ka pasur replika në distancë por jo një takim i përbashkët qysh prej momentit kur kreu i shtetit firmosi dekretin e anulimit të datës 30 qershor si datë e zgjedhjeve vendore.

Madje kryeministri refuzoi dhe ftesën e kreut të shtetit për një takim para se të dekretonte datën 13 tetor si datën e zgjedhjeve vendore.

Megjithatë në deklaratat publike kreu i shtetit është shprehur i gatshëm për të pritur kryeministrin dhe krerët e tjerë të politikës, për të gjetur një zgjidhje për të zgjidhur krizë. Madje dhe u shpreh i gatshëm për të rivlerësuar datën 13 tetor.

/Ora News.tv/