Mesazhi i Metës në ditën e Pavarësisë: Bashkëpunim mes shumicës dhe opozitës

Bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës ishte mesazhi i Presidentit të Republikës Ilir Meta në ceremoninë e ogranizuar për 106 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Para pjesëmarrësve, ai solli në vëmendje përpjekjet e shqiptarëve për bashkim dhe liri, si dhe situatën që po kalon kombi.

Ilir Meta: Sfidat aktuale që po përjetojmë kërkojnë klimë bashkëpunuese, ndjenjë të lartë të unitetit dhe përgjegjësisë kombëtare. Shqiptarët kanë nevojë për forcimin e bashkëjetesës demokratike, për një klimë politike konstruktive, për një paqe sociale ku respekti ndaj lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor duhet të jetë prioritet i të gjithëve. Duhet reflektim nga të gjithë, për një mjedis më bashkëpunues, më gjithëpërfshirës, për më shumë siguri juridike për pronën, për punën dhe të drejtat e njeriut. Funksionimi i shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura kërkon dialog dhe bashkëpunim të qëndrueshëm mes shumicës dhe opozitës

Emigracioni i lartë është parë me shqetësim prej kreut të shtetit që e ka cilësuar si një këmbanë alarmi për klasën politike.

Presidenti Meta tha se ende nuk është përmbushur misioni për integrimin në BE.

Ilir Meta: Populli shqiptar arriti të afirmohet si identiteti historik, kulturor dhe europian deri në ditët tona. Kohët kanë ndryshuar, por trashëgimia e vlerave identitare dhe kulturore si dhe parimeve shtetformuese që lanë pas që nga herroi ynë kombëtar Skënderbeu e deri tek Ismail Qemali dhe shumë patriotë mendje ndrritur të rilindjes kombëtare janë apeluese dhe aktuale edhe sot e kësaj dite.  Kthimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve në familjen europiane është një mision ende i papërmbushur tërësisht për ne.

Në pritjen shtetërore mori pjesë kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama, ministra, deputetë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri.

EMISIONET