Presidenti Ilir Meta në intervistën dhënë për emisionin “Tempora” ka pranuar se marrëdhëniet e tij nuk kanë qenë të mira më të gjithë ambasadorët amerikanë.

Meta tha se gjithkush që është përpjekur t’i mbyllë një derë e ka parë se ai ka hyrë nga dyer të tjera.  

Pjesë nga intervista:

Presidenti Meta: Marrëdhëniet e mia, jo me të gjithë ambasadorët amerikanë kanë qenë të shkëlqyera. Unë përmenda vetëm një rast, mund të përmendë dhe emrin, por emrin mund t’ua përmend z. Angjeli me që ka qenë Ministër i Financave në atë kohë.Qëndrimi im shumë i qartë, në mbrojtje të vendit tim, të interesit publik të vendit tim për të mos pranuar mbylljen e një afere që ishte nisur dhe që do të dëmtonte reputacionin e marrëdhënieve mes dy vendeve, nuk më pengoi mua as të pritesha zyrtarisht në Amerikë, një vit më vonë dhe as të takoja Presidentin Bush. Dhe e kam kërkuar sot për nesër, vetëm për një arsye, sepse kishte ardhur dhe Trajkovski i shkretë në Amerikë në atë kohë dhe kisha hall po të kthehesha pa takuar Presidentin Bush do thoshte Berisha se ishte dhe para zgjedhjeve, ja atë e priti këtë se priti. 

Në fakt mua më pritën të gjithë, por aty kishte ndodhur diçka e papritur dhe Amerika ma solli mua në takim Presidentin Bush. Pse? Për shkak të marrëdhënieve të mia të sinqerta me Amerikën, të cilat unë asnjëherë nuk i përgojoj dhe nuk i përdor. Unë edhe kur bëj një gjë nuk them ma kanë thënë amerikanët, ma kanë thënë evropianët. Unë i dëgjoj të gjithë, në fund fare unë përgjegjësinë e marr vetë në raport me popullin shqiptar. Të heqim dorë nga keqpërdorimi i tyre, unë ato që kam ua them direkt, nëse kanë ata ma thonë direkt...

Sonila Meço Nuk jeni i izoluar në këtë pikë...

Presidenti Meta: Unë i izoluar? Ai që ka provuar të mbylli një derë e ka parë që unë kam hyrë nga dyer të tjera. Asnjë shqetësim, asnjë problem. Unë në Amerikë nuk kam ndërhyrë ndonjëherë në zgjedhje. Ke dëgjuar ndonjëherë të flasë unë pro atij ose kundër këtij?

Se nuk mund ta bëjë unë këtë gjë, sepse kushdo që të jetë në Amerikë unë do të punojme Amerikën për vendin tim, jo për veten time, sepse s’kam nevojë unë për veten time. Unë Amerikën e dua për vendin tim, për kombin tim, nuk e dua për veten time, unë raportin time e kam me shqiptarët, ata më votojnë, ata më përkrahin ose ata më ndëshkojnë.

Nuk e kam as me Europën. Unë jam pritur nga kryeministrat që 24 vjeç, më ka pritur Franc Vranicki që ishte një udhëheqës europian dhe më ka besuar para zgjedhjeve të 26 majit dhe është i pari Kancelar që ka paralajmëruar manipulimin e zgjedhjeve të 26 majit vetëm për shkak se më ka dëgjuar mua. Çfarë isha unë atëherë, një fëmijë 23-24 vjeç.

Sonila Meco: Po sot?

Presidenti Meta: Sot, shumë mirë i kemi çështjet. Janë ça ngatërrestarë, ca intrigantë, është kjo organizata që të thashë, por gjërat do shkojnë atje ku duhet. E rëndësishme është që deri tani në Shqipëri, deri tani nuk ka pasur përplasje shumë të fortë dhe me pasoja gjakderdhje sikurse ka qenë dëshira. Unë do të vazhdoj të bëj punën time. Ndërkohë unë i shikoj të gjithë dhe të gjithë më shikojnë mua dhe duhet të hapim sytë dhe të kuptojmë se ato të drejta që kemi fituar mund t’i humbasim pak nga pak nëse nuk do i mbrojmë. E kam fjalën për qytetarët shqiptarë, ata duhet të jenë dyshues që tek unë i pari si President, që të qeveria, tek opozita dhe gjithë të tjerët, në mënyrë që të mos e humbasin sovranitetin e tyre mbi institucionet që duhet t’u shërbejnë interesave të tyre...

/Ora News.tv/