Violeta Kraja, gjithë vitet e jetës së saj i ka kaluar në shkollën e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë. Dikur si ish-nxënëse deri në Maturë, më pas 20 vite radhazi si mësuese e gjuhës frënge. Prej 5 muajsh zyshë Violeta ka dalë në pension, por 7 Marsi e ka rikthyer në shkollë, për të festuar si çdo vit me nxënësit dhe kolegët.

Violeta Kraja: “Në këtë shkollë unë kam punuar 20 vite radhazi, plus kam qenë nxënëse kësaj shkolle. Matura e parë kur është bërë godina e re, unë kam qenë maturantë. Kjo shkollë lidhet me shumë kujtime të miat. Jam pensioniste, megjithatë zemrën dhe mendjen e kam te ata ish-nxëëns që kisha dhe te koleget e mia. Vij pothuajse çdo muaj një herë në shkollë, nuk mund të rri pa atë mjedisin që më ka rrethuar gjithë jetën”

Pa lënë mënjanë disiplinën dhe procesin mësimor, për zyshë Violetën mësuesi duhet të krijojë një marrëdhënie miqësore me nxënësit.

Violeta Kraja: “Unë nuk jam me atë që niveli i shkollës varet shumë nga fëmijët, fëmijët nuk punojnë. Fëmijët, rinia, adoleshentët kryesisht, krizën moshore që kalojnë duan një ngrohtësi, duan mbështetje. Mësues të veçantë thonë nuk mësojnë, nuk kapin. Jo, na takon neve që të krijojmë një marrëdhënie të mirë me nxënësin që ai të ndjehet mirë kur vjen në mjedisin tonë dhe pastaj ta japim me dashuri atë që kemi, me pasion. Mos të jemi njerëz shumë strikt, shumë tradicionalist. Mësuesi, shkolla ka për detyrë ti mësojë nxënësve dhe si të mësojnë, si të bëjnë detyrat dhe çfarë qëndrimi të mbajnë në shoqëri”

Teksa tregon miqësitë e ruajtura me ish-nxënësit e saj brenda dhe jashtë vendit, Kraja thotë se nxënësit duhen ndihmuar duke marrë parasysh edhe rrethanat e tyre sociale apo ekonomike.

Violeta Kraja: Nuk ka nxënës të dobët, por jo të gjithë ishin të 9 dhe 10, ishin edhe ata që kishin pak problem. Por mund të kishin problem, por ndonjë nga ata edhe punon. Unë duhet ta ndihmoj atë nxënës me shpirtin tim, me zemrën time, tja bëj orën sa më të mirë në kuptimin sa më të ngrohtë. E di që ai nuk e kupton, do t’i kthehem edhe njëherë, edhe do ta ledhatoj, e do t’i them rrofsh se ti je më i miri këtu sepse ndihmon për familjen tënde. Atëherë ky është mësuesi, në qoftë se të gjithë mësuesit e bëjnë këtë, ska asgjë që nuk kalohet”     

Pas shumë viteve punë, për Violeta Krajën, reforma në arsim duhet të nis nga klasa e parë dhe jo nga universiteti. Ajo beson se e ardhmja e arsimit dhe e fëmijëve është në dorën e mësuesve.

Violeta Kraja: “Shkolla duhet të fillojë reformimin në klasën e parë. Nuk ka fëmijë në atë moshë që nuk do të jetë i ditur, që nuk do të mësojë. Mësuesi është Zot për atë që sapo fillon shkollën. Në qoftë se ne arrijmë që këto fëmijë që porsa kanë filluar shkollën, të kenë një dorë të ngrohtë, atëherë nuk do të kemi të përjashtuar. Kjo është reforma klasa e parë dhe e dytë. Dhe në qoftë se në dy vitet e para sigurojmë një grup shumë të mirë nxënësish, ata do të duan të mësojnë, do e duan dijen”

Me rastin e 7 Marsit, në të gjitha shkollat e vendit është festuar Dita e Mësuesit, ku buqetat me lule kanë qenë simboli i kësaj dite.

/Ora News.tv/