Kanceri i qafës së mitrës është plotësisht i parandalueshëm, por sipas mjekëve, femrat ngelizhojnë diagnostikimin duke bërë që sëmundja të kapet në stade të avancuara, kur edhe kostoja e trajtimit është e lartë. 

Lumturi Mërkuri: “Mesatarisht në Shqipëri diagnostikohen rreth 90-100 raste të reja. Rastet kapen në faza të avancuara. Kanceri i qafës së mitrës është një ndër kanceret më të parandalueshëm. Ka një periudhë parakanceroze shumë të gjatë që mund të shkoj nga 10-15 vjet deri në 20 vjet. Kjo periudhë kaq e gjatë e këtij kanceri bën ose i jep mundësinë një femre që ta kapi nëpërmjet testeve depistuese. Në qoftë se një femër do të bëj pap-testin ajo e kap shumë herët kancerin e qafës së mitrës në fazën parakanceroze ku trajtmi është i thjeshtë, jo traumatik, jo i kushtueshëm dhe mbi të gjitha shpëton jetën” 

Por cilat janë femrat më të rrezikuara nga ky lloj kanceri, i cili për një kohë të gjatë nuk shfaq shenja të dukshme?

Mërkuri: “Në momentin që shfaqen shenjat sëmundja ka përparuar. Cilët janë faktorët e riskut: një grua ka filluar herët marrëdhënien seksuale; ka shumë partnerë, partneri i saj mund të ketë shumë partner; nëse në linjën e parë të të afërmve si nëna, motra, gjyshja kanë pasur një kancer të qafës së mitrës, kjo nuk nuk do të thotë që është i trashëguar; nëse kanë pasur aborte të shumtë; lindje të shumta dhe ashtu sikundër për të gjitha llojet e kancerve pirja në mënyrë abuziviste e duhanit. Ndwrkohw, fillimi i hershëm i marrëdhënieve seksuale bën që infektimi të jetë në mosha edhe më të reja”    

Ndryshe nga sa mendohet në popullatë për shkak edhe të mungesës së informacionit, mjekët sqarojnë se kanceri i mitrës nuk është vetëm një patologji e femrave, pasi i njëjti virus prek edhe meshkujt që janë edhe shkaktarët e infektimit.

Mërkuri: “Meshkujt janë ata që e transmetojnë. Madje, Organizata Botërore e Shëndetësisë i sygjeron shteteve që të vaksinojnë edhe meshkujt e moshave 9-13 vjeç. Arsyeja e parë, që e përcjellin infeksionin te femrat dhe arsyeja tjetër që edhe këta mund të preken nga lythat genital, kondilomat, kanceri i anusit apo organit genital mashkullor”   

Nisur nga niveli i ulët i diagnostikimeve për kacerin e mitrës, Ministria e Shëndetësisë ka nisur një program depistimi falas në disa qendrat shëndetësore, i cili do të përfshijë femrat nga mosha 25-49 vjeç. Në të njëjtën kohë, mjekët e familjes janë udhëzuar që të mos i ngelizhojnë femrat që kërkojnë të kryejnë ekzaminime për kancerin e mitrës.    

/Ora News.tv/