Ish-kryestrategu i presidentit Donald Trump, Steve Bannon është marrë në pyetje si pjesë e hetimit mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016. Hetuesit besojnë se zoti Bannon, një prej personave më të afërt të Trump, zotëron informacione thelbësore mbi administratën e presidentit, përfshi edhe detaje mbi shkarkimin e bujshëm të ish-drejtorit të FBI-së James Comey.

Nuk është ende e qartë se çfarë i është pyetur ekzaktësisht zotit Bannon, por raportohet se ai ka biseduar për plot 20 orë me skuadrën që po heton çështjen. Mediat amerikane citojnë burime pranë këtij procesi, të cilët thonë se Bannon i është përgjigjur çdo pyetjeje që i është bërë.

Hetimi për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane udhëhiqet nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller. Mediat amerikane raportojnë se investigimi mund të zgjatet deri në vitin 2019, teksa skuadra federale e Mueller është në bisedime me përfaqësuesit ligjorë të zotit Trump, për një marrje në pyetje të presidentit nga vetë Prokurori i Posaçëm.

/Ora News.tv/