Menaxhimi i mbetjeve, Klosi: Në shumë Bashki, mbetjet hidhen ende në lumë

Menaxhimi i mbetjeve, Klosi: Në shumë Bashki, mbetjet hidhen ende

Pavarësisht përpjekeve të bëra për menaxhimin e mbetjeve urbane, ato vijojnë të mbeten një shqetësim për vendin dhe mjedisin.

Problemi pranohet edhe nga Ministri, Blendi Klosi, i cili gjatë një konference ndërkombëtare të mbajtur në Tiranë, theksoi se duhet të gjenden mekanizma modern dhe efiçentë për trajtimin e mbetjeve urbane, e sidomos atyre të ngurta.

Blendi Klosi: Ka ardhur koha që të vëmë  gishtin në plagë se po të shikojmë një hartë se ku ndodhen venddepozitimet e mbetjeve urbane në vendin tonë kuptojmë që lumi vazhdon të jetë dhe sot që flasim venddepozitimi legal i bashkive tona. Zgjidhja është që ta marrë lumi mbetjen urbane dhe ta çojë në det, kjo është zgjidhja që kemi ne sot në shumë bashki të vogla apo ish-komuna të cilat duhet të futen në një sistem tjetër.

Klosi tha se Shqipëria është ende larg standardeve që përdoren në vendet e Bashkimit Europian për menaxhimin e mbetjeve, ndërsa theksoi se ky sektor duhet të shihet si fitimprurës për ekonominë e vendit.

Blendi Klosi: Ne duam të hymë në BE me ligjet, Konventat, por me realitetin ne jemi shumë larg një sistemi të mirëmenaxhuar. Nëse duam të japim kontribut në familjen europiane duhet të trajtojmë mjedisin në mënyrë europiane.Kur të kemi mbetjet urbane në ekonomi, kur të kemi menaxhimin e tyre në kthimin në një pasuri, ne do të kemi dhe zgjidhjen e problemit.

Ministri njoftoi se në dy muajt e ardhshëm do të nisin sërish aksionet e pastrimit në mënyrë që zonat turistike të jenë gati dhe të pastërta për sezonin veror.



EMISIONET