Memoriali te Liqeni, Veliaj: Ata që ankohen as iu ka rënë në mendje kur ishte mbuluar me ferra

Memoriali te Liqeni, Veliaj: Ata që ankohen as iu ka rënë në

Nga selia e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku përcolli urimet për festën e Kurban Bajramit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i bëri thirrje të gjithë qytetarëve për më shumë tolerancë dhe bashkëpunim.

Veliaj: Sot është momenti për të sakrifikuar egot tona, lakminë dhe babëzinë, mërinë dhe urrejtjen, inatet që kemi me njeri - tjetrin. Sikur të duhemi më shumë dhe të urrehemi më pak, sikur të merremi më shumë me punë dhe më pak me llafe. Këto janë sakrifica që besoj se mund t'i bëjmë në kohët moderne.

I pyetur nga gazetarët, Veliaj komentoi memorialin e vendosur te parku i Liqenit në kujtim të shtetasve turq, të vrarë gjatë grushtit të shtetit në vitin 2016.  Veliaj tha se Tirana ka vend për të gjithë, ndërsa theksoi se kjo çështje s’përbën tradhëti.

Veliaj: Në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet. Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre.

Në mesditën e Kurban Bajramit, trupa diplomatik, ambasadorë dhe përfaqëues shtetëror vizituan selinë e Komunitetit Mysliman për të përçuar urime për besimtarët mysliman.

EMISIONET